AAK kërkon të iniciojë debat parlamentar për rritjen e çmimeve

Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se ka kërkuar seancë në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale dhe produkteve të tjera.

Tahiri ka thënë se për grupin e AAK-së rritja e çmimeve të produkteve ushqimore është problem serioz dhe shqetësues.

“Është shqetësuese qasja që e ka marrë Qeveria Kurti në këtë temë, rritja e çmimeve ka fillu në kohë të hershme ndërsa veprimet e qeverisë janë të vonshme”, ka theksuar ai.

Sipas Tahirit, kryeministri Kurti duhet të jap përgjigje në dy çështje.

“E para, Kurti sa ishte në opozitë deklaronte se ai do të kujdeset cent për cent për çmimet në sektorin privat. A është Albin Kurti i tanishmi që po thotë se qeveria nuk i rrit çmimet a është i atëhershmi që thoshte se qeveria do t’i kontrollojë çmimet për mos me u rritë. Pytja e dytë publike pse nuk po e bjen Ligjin e pagave”, ka theksuar Tahiri.

Ndërsa për paratë e ndara nga Qeveria e Kosovës për disa kategori të qytetarëve, Tahiri ka thënë se janë masa afatshkurta.

“Janë masa afatshkurta njëmujore të cilat po merren në një proces zgjedhor mes dy rundeve të zgjedhjeve”, ka përfunduar Tahiri.