Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK kërkon nga Qeveria ta rishqyrtojë Ligjin për Pagat

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që  në programin qeverisës të përfshirë edhe buxhetimin për Ligjin për Paga.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se kërkojnë që ligji në fjalë të rikthehet në Qeveri.

“Ligji i pagave është një ligj bazë për te cilin kemi punuar mbi 10 vite, të cilin kemi arrit me miratu në qeveri në parlament. Në atë kohë fokusim kanë qenë mjekët, policia dhe zyrtarë të tjerë. Kërkojmë nga qeveria që ta rikthejë në Qeveri, ta amdamentojë dhe ta votojë në Parlament”, tha ai.

Haradinaj shtoi se me këtë po i japin ndihmë ekzekutivit.

“Qeveria është në ditët e para dhe është me rëndësi t`i aplikojnë disa tema. Në këtë mënyrë ne nuk po bëjmë opozitarizëm, po i japim ndihmë qeverisë. Çështja e Ligjit të Pagave është tepër me rëndësi, na vjen mirë që qeveria ka një shumicë të madhe dhe mendojmë që mundet me kry këtë temë. Janë dhe disa tema të tjera që kishim mujt me ndihmu qeverinë, sepse është një situatë e rëndë e pandemisë COVID-19”, shtoi ai.

Për mospublikimin e planit nga Qeveria Kurti, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se mundësia është që ata t’i ikin përgjegjësisë.

“Nuk është qëllimi ynë me i shkaktu pengesa, por mi ndihmu. Nuk kanë paraqit program qeverisës në parlament, qëllimi është t`i ndihmojmë. Dëshirojmë me i dhanë siguri z.Kurtit, nuk ke nevojë me ik, ekziston një mundësi reale që kta me ik prej përgjegjësisë, qëllimi është me i dhënë ndihmë”, u shpreh ai.

Për këtë çështje foli edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Besnik Tahiri.

“Kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili nuk e konteston ligjin, por i konteston amandametimet që kanë ndodhë në Kuvend. Kosova ka pas mbi 5000 tituj, 360 lloje të pagave. Ky ligj e ka kthy sektorin publik në 66 koeficient. Kërkojmë prej qeverisë që në programin qeveritar dhe planifikimin buxhetor të inkoporohet buxhetimi i këtij ligji. Qeveria do të ketë mbështetjen e AAK-së në Kuvend dhe njëherë e përgjithmonë do të vendoset sistemi i pagave”, tha ai  në konferencën për media.

Në qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shfuqizuar Ligjin për pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Prandaj e ka shpallur të pavlefshëm atë dhe ka shfuqizuar vendimin për caktim të masës së përkohshme të 12 dhjetorit 2019, si dhe vendimin për vazhdim të masës së përkohshme të 30 marsit 2020.

Gjykata Kushtetuese shfuqizon Ligjin për Pagat