Aksioni i Policisë në Zubin Potok. Foto: Xhelal Sveçla/13.06.2024

A u sekuestruan antiplumbë në Zubin Potok? Sveçla e Policia me të dhëna të ndryshme

Një pushkë “M-48”, një granatë dore, një armë e shkurtë me katër fishekë dhe disa dëshmi të tjera janë sekuestruar gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Mitrovicës në fshatin Uglarë të Zubin Potokut.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës nuk përmendet që në këtë aksion janë sekuestruar antiplumbë, kurse në postimin e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, thuhet se janë konfiskuar disa antiplumbë.

“Armë dhe mjete eksplozive si granatë dore, armë e gjatë, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike janë zbuluar sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes në një lokacion në fshatin Uglarë të Zubin Potokut”- është postimi i ministrit Sveçla të cilin e ka publikuar në Facebook.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, në një përgjigje për KALLXO.com ka dërguar njoftimin e Policisë për aksionin e sotëm.

Në këtë njoftim nuk përmendet sekuestrimi i antiplumbëve.

Në një fotografi që ka publikuar ministri Sveçla shihet një jelek i cili ngjason me një jelek taktik për vendosjen e pajisjeve dhe municioneve.

“Është identifikuar i dyshuari S.S ku është bërë kontrollimi i shtëpisë së tij, gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar përkohësisht një pushkë M-48 dhe një grantë dore të cilën e kanë sekuestruar njësia e deminimit. Është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit të dytë, ku është gjetur një armë e shkurtë (revole) Zoraki me 4 fishek si dhe janë konfiskuar disa dëshmi që lidhen me rastin. I dyshuari i dytë nuk është hasur në shtëpi dhe i njëjti është në arrati. Nga incizimet është  identifikuar edhe i dyshuari i tretë D.J, të njëjtit i është kontrolluar shtëpia mirëpo nuk është hasur diçka e dyshimtë” – thuhet në njoftimin e Policisë.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ministri Sveçla për të dhënat që ka publikuar, por deri në publikimin e këtij artikulli ai nuk ka kthyer përgjigje.

Një i arrestuar pas bastisjes në Zubin Potok, Sveçla jep detaje se çka gjeti policia – Pamje