Albin Kurti dhe Radoica Radomiroviq, Foto:ZKM

A ka qenë zv.ministri Radomiroviq pjesë e forcave serbe gjatë luftës, flet ministri Nenad Rashiq

Ndonëse ka 2 muaj e gjysmë që është emëruar nga kryeministri Albin Kurti në postin e zëvendësministrit në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, emri i Radoica Radomiroviqit është përfolur ditëve të fundit në media, opinion e nga opozita se ka qenë pjesë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Por, pretendimet e tilla për zëvendësin e tij po i konsideron të pavërteta dhe manipuluese ministri Nenad Rashiq.

Në një prononcim për KALLXO.com, Rashiq ka thënë se Radomiroviq e ka kaluar testin nga institucionet e sigurisë në Kosovë para se të bëhej zëvendës i tij.

“Normalisht që ky ka qenë propozim i imi. Unë u jam referuar organeve adekuate për një vërtetim, i cili pas 10 ditësh është kthyer si pozitiv, pra përgjigjja ka qenë se ky njeri nuk ka kurrfarë informacioni të keq që ka qenë i inkuadruar”- ka thënë ai.

Sipas Rashiqit, Radomiroviq ka qenë pjesë e stafit civil në ushtrinë jugosllave dhe s’ka pasur asnjë angazhim ushtarak.

“Unë i kam dokumentet e tij prej 1997, në atë kohë kur ka qenë i emëruar si staf civil i cili ka punuar si arkëtar dhe kontabilist. Unë kam potencuar, kemi edhe dokumente origjinale, që ai është i pastër sa i përket çfarëdo forme të spekulimeve për pjesëmarrjen e tij në luftë, absolutisht të pavërteta”- ka thënë Rashiq.

Sipas tij, e kaluara e zëvendësit të tij, Radoica Radomiroviq nuk është asgjë sekrete.

“Ka qenë staf civil në ushtrinë jugosllave, administratë, e cila merret me sendet standarde me organizimin e brendshëm teknik, jo si staf civil me angazhime ushtarake në terren. Ai ka punuar në Stan Tërg në Mitrovicë, nuk është asgjë sekrete”- ka vazhduar ai.

Sipas tij, akuzat që po bëhen ndaj Radomiroviqit janë çnjerëzore, sepse, sipas tij, ai vazhdimisht është angazhuar për pajtimin në veri.

“Opozita po përpiqet t’i bëjë manipulimet me opinion publik, ku e prezantojnë njeriun që është që tre muaj në qeveri, si diçka tragjike. Absolutisht të pavërteta, unë ju garantoj që ai është shumë profesional, shumë i pastër sa i përket angazhimit të tij, prandaj, njeriu është absolutisht me vend” – tha Rashiq.

“Po më dëshpëron sepse deputetët tanë kanë bërë akuzime që janë çnjerëzore, sepse ju garantoj që Radomiroviq është luftëtari më i madh i pajtimit në veri dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe kur krahasoni sakrificën që e bën ai në formën institucionale, dhe kur i shihni akuzat është me të vërtetë një akt çnjerëzor”- theksoi ai.

KALLXO.com ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit Albin Kurti informacione si dhe CV-në e zëvendësministrit Radomiroviq, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dhënë përgjigje.

Për këtë çështje dje në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë janë pyetur edhe ministri i Bujqësisë Faton Peci dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi.

Ministri Peci ka thënë se nuk beson që dikush me një veprimtari ilegale mund të jetë pjesë e Qeverisë Kurti 2.

“Kjo është çështja jashtë asaj për çfarë ne kemi dalë në konferencë. Besoj që ju do ta shfrytëzoni rastin që kurdo që kryeministri është në konferencën ta adresoni një pyetje të tillë. Unë nuk besoj që në rast se dikush ka qenë pjesë e përfoljes për pjesëmarrje në një veprimtari jolegale, aq më tepër të jetë i emëruar i tij”- tha ai.

Dje, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blera Deliu-Kodra ka thënë se ‘me bekimin e Radojiçiqit, ‘Qeveria Zdravo’ po emëron zyrtarë që cenojnë karakterin e shtetit të Kosovës’.

“Afera ‘Zdravo’, nuk është thjesht një aferë e simpatisë në mes të Listës Serbe dhe Albin Kurtit, por është aferë që ka implikime direkte në shoqërinë dhe në shtetin tonë, e mbi të gjitha në vetë karakterin e shtetit tonë”- ka thënë ajo.

Zyra e kryeministrit më 25 maj kishte njoftuar se Radoica Radomiroviq ishte emëruar zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim nga kryeministri Albin Kurti.

Ministria për Kthim dhe Komunitete drejtohet nga politikani serb i Kosovës, Nenad Rashiq.