90% e pacientëve me COVID-19 në Pulmologji, me oksigjeno – terapi

Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare është duke trajtuar raste pozitive me coronavirus përderisa kjo klinikë deri disa javë më parë ka trajtuar vetëm rastet e dyshimta me SARS-CoV-2.

Në këtë Klinikë janë duke u trajtuar 70 pacientë të konfirmuar pozitiv me coronavirus.

Në një prononcim për KALLXO.com, Ushtruesi i Detyrës së kësaj Klinike, Musa Hoxha, theksoi se 90% e pacientëve me COVID-19 janë nën asistim me oksigjeno – terapisë.

“Nuk kemi pas raste të rënda dhe në përgjithësi mbi 90% janë me oksigjeno – terapi dhe terapi përcjellëse me antibiotik”, tregoi ai.

Ai shton se 26 pacientë të cilët kanë qenë të dyshimtë me COVID-19 i kanë dërguar në Kirurgjinë Abdominale.

Sa i përket stafit shëndetësor të infektuar me virusin corona, Hoxha potencoi se të gjithë mjekët specialist në Pulmologji e kanë kaluar infeksionin si dhe janë vaksinuar me nga dy doza të vaksinës kundër SARS-CoV-2.

Brenda 24 orëve në Kosovë janë regjistruar 16 raste të vdekjeve me COVID-19 përderisa janë infektuar 2 mijë e 98 qytetarë.

Sa i përket vaksinimit, për 24 orë janë vaksinuar 15 mijë e 862 qytetarë, ndërsa nga 29 marsi i këtij viti janë vaksinuar me një dozë 780 mijë e 637 qytetarë si dhe 261 mijë e 818 qytetarë me dy doza.

Ministria e Shëndetësisë nga të dhënat e fundit ka bërë të ditur se 16 qytetarë kanë vdekur me COVID-19 përderisa 2 mijë e 98 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me SARS-CoV-2.