Ilustrim

803 punëtorë të rinj regjistrohen për të përfituar nga pakoja emergjente

803 punëtorë të rinj janë regjistruar ndërsa 217 biznese kanë kërkuar kompensimin e pagave të punëtoreve brenda pesë ditëve nga koha kur Administrata Tatimore e Kosovës i njoftoi bizneset për përfitimet nga pako emergjente fiskale.

Lajmin për KALLXO.com, e ka konfirmuar zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi- Sefa.

Punëtorët e rinj të pajisur me kontrata një ose më shumë vjeçare dhe do të jenë pjesë e e pakos emergjente me ç’rast do të përfitojnë dy paga me nga 130 euro.

Ndërsa punëtorët e regjistruar para gjendjes emergjente për të cilët bizneset kanë kërkuar kompensimin e pagave do të ndihmohen me nga 170 euro nga buxheti i shtetit.

Regjistrimi i punëtorëve të rinj në Kosovë po vazhdon e po rritet gjatë fazës së pandemisë pasi që edhe kësaj kategorie shteti po ju del në ndihmë.

Që nga koha e miratimit të pakos emergjente fiskale shumë qytetarë kanë raportuar në KALLXO.com, se nuk po pajisen me kontrata pune pasi pronarët e bizneseve po u frikësohen ndëshkimeve nga Administrata Tatimore.

Në lidhje me këto shqetësime të bizneseve, Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka deklaruar se asnjë biznes i cili i regjistron punëtorët si punëtorë të rinj nuk do të ndëshkohet dhe se qëllimi i qeverisë është stimulimi i punësimit dhe fomalizimi i punëtoreve.

“Është dezinfomu opinioni që mos i lajmëroni punëtoret se me pas keni me u dënu, bizneset e kanë  mundësinë që t’i pajisin  punëtorët me kontrata 1 vjeçare dhe jemi në rregull edhe ata do të përfitojnë nga skema”, ka deklaruar ministri në një debat televiziv.

Bislimi shtoi se masa e qeverisë nuk synon t’i dënojë bizneset por synon të ju dalë në ndihmë dhe formalizim të bizneseve.

Punëtorët të cilët pajisen me kontrata 1 vjeçare gjatë periudhës së pandemisë kanë mundësi të përfitojnë nga pako emergjente fiskale e miratuar nga Qeveria.

Atyre do të ju takojnë dy paga me nga 130 euro, paga këto që janë paraparë në masën e 14-të të pakos emergjente fiskale të miratuar nga Qeveria e  Kosovës.

Për të ju dalë në ndihmë kësaj kategorie te të punësuarve Qeveria ka ndarë 6 milionë euro.

Krejt çka duhet të bëjnë kompanitë është që këta punëtorë ti deklarojnë si punëtor të rinj, duke iu lidhur kontrata 1 vjeçare gjatë kohës së krizës me pandemi.

Kushtet e përfitimit të këtyre pagave nga pako fiskale janë:

“Lidhja e kontratës 1 vjeçare, plotësimi i formularit në ATK duke kërkuar kompensimin e pagave, kontrata të nënshkruhet pas fillimit të pandemisë në Kosovë, punëtori të deklarohen në listën e pagave nga biznesi si dhe punëtori të ketë llogari bankare në Kosovë”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Pako emergjente fiskale e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraparë që t’i dalë në ndihmë kategorive të ndryshme sociale, punëtorëve dhe bizneseve me rastin e uljes së intensitetit të punës gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë.

Për këto ndihma qeveria ka ndarë  170 milion euro të cilat do të ndahen në 15 masa të ndryshme për përkrahjen e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë.