Foto: Ilustrim

79 të vdekur nga COVID-19 për një javë në Kosovë

79 qytetarë kanë vdekur që nga data 18 gusht në Kosovë pasi kanë qenë të infektuar me COVID-19.

Sipas raporteve ditore të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 14 raste të vdekjes dhe 2 mijë e 541 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 nga 12 mijë e 618 testime.

Sipas MSh-së, në 24 orët e fundit janë dhënë 18 mijë e 326 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Sipas tyre, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 747 mijë e 898 doza të vaksinës, kurse deri më sot 250 mijë e 626 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 108 mijë 603, ndërsa në total numri i rasteve aktive është 23 mijë e 845.

Më 20 gusht në Kosovë kanë nisur së zbatuari masat e reja për luftim të pandemisë.

Organizimi i ahengjeve dhe dasmave është anuluar, është zvogëluar orari i bizneseve të gastronomisë, si dhe është shtuar kërkesa për dëshmi të vaksinimit për të fituar qasje në një mori aktivitetesh.

Të gjithë punëtorët e bizneseve të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejt me klientët duhet të jenë të vaksinuar apo të kenë test negativ.

Po ashtu, është ndaluar hyja pa maskë në ambientet e mbyllura si dhe në transportin publik.

Autoritetet shëndetësore ndërkohë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër COVID -19, siç është bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës.

Imunizimi i qytetarëve kundër COVID-19 po vazhdon të bëhet në 30 komuna me mbi 300 ekipe të vaksinimit.

Në konkursin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë nuk është paraparë punësimi i punonjësve shëndetësorë për të shtuar numrin e ekipeve të vaksinimit.

Konkursi i MSh-së për staf mbështetës nuk i përmbushë nevojat e plota të Spitaleve Rajonale në luftën kundër COVID-19