Ilustrim

7 raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit në vend kanë ndodhur shtatë raste të dhunës në familje.

Sipas forcave të rendit, tri raste u regjistruan në rajonin e Prishtinës, tri të tjera në rajonin e Prizrenit ndërsa nga një në Suharekë dhe Malishevë.

Siç thuhet në raport, në Prizren, një burrë ka sulmuar fizikisht gruan dhe vajzën.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka kanosur dy viktimat femra kosovare, bashkëshorten dhe vajzën. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” – thuhet në njoftim.

Ndërsa, në dy raste tjera, të ndara, raportohet se burrat kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortëve në Prizren.

“Viktima femër kosovare, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor” – thuhet në njoftim.

“Viktima femër kosovare, ka raportuar se është  kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar (bashkëshorti), duke u kërcënuar me jetë dhe duke ushtruar dhunë fizike. I dyshuari së bashku shokun e tij, dyshohet se përmes telefonit  kanë kërcënuar edhe menaxherin e kompanisë ku punon viktima dhe një punëtore në atë kompani. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime” – thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Dhunë nga burrat në bashkëshortetet e tyre u raportua edhe në dy raste të tjera, në Shirokë të Suharekës dhe në Malishevë.

Ndërsa, në Prishtinë, një grua raportoi për dhunë psikike nga djali i saj.

E në një rast tjetër, djali raportohet të ketë sulmuar fizikisht babain e tij. Me vendim të prokurorit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.