43 aksidente gjatë 24 orëve të fundit

Tre persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku mes dy veturave që ka ndodhur në fshatin Pestovë të Vushtrrisë dje rreth orës 16:30.

Si pasojë e lëndimeve, dy prej të lënduarve janë dërguar në QKUK e njëri pas tretmanit mjekësor është liruar në shtëpi.

Ky nuk është aksidenti i vetëm me të lënduar që ka ndodhur në 24 orëshin e fundit.

Policia në raportin e saj të përditshëm ka njoftuar se në një aksident që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:15 në Poklek të Drenasit mes tri veturave janë lënduar 4 persona, dy të gjinisë femërore dhe dy të gjinisë mashkullore.

Edhe këta të lënduar janë dërguar në QKUK.

Ndërsa në fshatin Shkabaj afër Prishtinës ka ndodhur një aksident mes një kamioni dhe një veture. Lëndime trupore në aksidentin që ka ndodhur rreth orës 16:40 ka pësuar vozitësi i veturës, i cili është dërguar në QKUK.

Në të njëjtën kohë, në Prizren një person teksa ishte duke lëvizur prapa me veturë e ka goditur këmbësorin – fëmijë, i cili si pasojë e lëndimeve është dërguar për tretman mjekësor.

Në raportin e saj të përditshëm, Policia ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara në tërë territorin e Kosovës kanë ndodhur 43 aksidente trafiku.

Prej tyre 16 ishin me të lënduar e 27 pa të lënduar.