370 gjoba vetëm në rajonin e Prishtinës në 24 orët e fundit, afër 2 mijë të tilla në gjithë Kosovën

Vetëm  në rajonin e Prishtinës, Policia e Kosovës në 24 orët e fundit ka shqiptuar 370 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

E në raportin  24-orësh të forcave të rendit është thënë se në të gjithë territorin e Kosovës janë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 737 gjoba të trafikut.

Sipas një njoftimi për media, Njësiti Rajonal i Trafikut në rajonin e Prishtinës po vazhdon me implementimin e planeve operative për kontrollin e shtuar në trafik.

Po ashtu është thënë se përveç planeve, Policia ka pranuar denoncime nga qytetarët dhe mediat për shkelje të ndryshme nga ngasës të automjeteve në trafik.

“Pjesë e punës së zyrtarëve të njësitit të trafikut ka qenë edhe identifikimi dhe gjobitja e tyre” – ka thënë PK.

Tutje u tha se angazhimet për sigurinë në trafik do të kenë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdojnë deri sa të vlerësohet që është arritur efekti i dëshiruar.