Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

30 ditë paraburgim 4 të dyshuarve për kontrabandim me emigrant sirianë

Katër të dyshuarve për kontrabandim me emigrant sirianë, S.M., A.B., V.F., dhe F.F, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjykata Themelore në Prizren, ka njoftuar se ndaj të dyshuarve, ka pasur mjaftë prova për caktimin e kësaj mase.

Të njëjtit sipas njoftimit dyshohen se merreshin me kontrabandim të emigrantëve me qëllim të përfitimit financiar dhe dobive tjera pasurore, nga hyrja e paligjshme e personave të cilët nuk janë shtetas në Republikën e Kosovës.

Të dyshuarit, në mënyrë të paligjshme kanë futur në territorin e Kosovës 11 shtetas të Sirisë.

“Të pandehurit me datë 16 korrik, jashtë vendkalimit zyrtar kufitar shtetëror Shqipëri-Kosovë, në afërsi të fshatit Vërmicë, kanë futur në territorin e Republikës së Kosovës 11 (njëmbëdhjetë) shtetas të Sirisë, të cilët me një automjet të cilën e ka drejtuar i pandehuri S.M., i kanë sjellë deri në shtëpinë e të pandehurit A.B., në Suharekë, në mënyrë që më vonë me kompensim financiar t’i transportojnë deri në Mitrovicë afër kufirit, me qëllim të kalimit të tyre ilegalisht në territorin e Republikës së Serbisë“, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit.

Gjyqtarja e rastit, ka marrë parasysh natyrën e veprës penale dhe se caktimi i paraburgimit për të pandehurit është i domosdoshëm, për të parandaluar përsëritjen e veprës penale, thuhet në njoftim.

“Procedura është në fazën fillestare dhe në vazhdim duhet të dëgjohen të gjithë të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit dhe të mblidhen edhe prova tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale”, njofton Gjykata.