Arrestohet 35-vjeçari në Shqipëri, transportonte 27 emigrantë drejt kufirit më Kosovën
Policia e Shtetit njofton se ka arrestuar një person nën dyshimin se do të transportonte me një furgon, në drejtim të Kukësit, për një pagesë në vlerë prej 200-400 euro për person, 27 emigrantë që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën.
Sipas njoftimit, 27 emigrantët janë liruar në procedurë të rregullt për kalim të paligjshëm të kufirit, përderisa janë sekuestruar furgoni dhe dy celularë.
“Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Farkë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që do të transportonte emigrantë të paligjshëm, drejt Kukësit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit 22”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi D. P., 35 vjeç, banues në Kukës”- thuhet në njoftim.
Sipas Policisë së Shtetit, 35-vjeçari dyshohet se iu kishte premtuar transportimin nga Korça në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 200-400 euro për person, 27 emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri. Të njëjtit që synonin të kalonin po në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, me destinacion final vendet e Bashkimit Europia.