Ilustrim - Parku i Biznesit në Drenas. Foto: Kallxo.com

255 biznese më pak të regjistruara në tre muajt e parë 2020

Tre muajt e parë janar-mars të këtij viti nuk regjistruan të dhëna pozitive sa i përket regjistrimit të bizneseve të reja në Kosovë. Regjistrimi i ndërmarrje ishte me rënie në këtë tremujor. Tregtia vazhdon të jetë sektori më i preferuar për regjistrimin bizneseve ku 96 përqind e bizneseve numërojnë 1 deri në 4 të punësuar.

Në tremujorin e  parë të sivjetëm, bie numri i bizneseve të regjistruara në Kosovë

“Në tremujorin e parë të vitit 2020 (TM1 2020) gjithsej janë regjistruar 2 311 ndërmarrje. Krahasuar këtë tremujor me tremujorin paraprak (TM4 2019) ka një rënie prej (-9.94%) të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar TM1 2020 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2019) ka rënie prej (-3.86%) të ndërmarrjeve të regjistruara”, thuhet në komunikatë.

Për sa u përket aktiviteteve ekonomike, më të preferuarat gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 590 ndërmarrje të regjistruara 25.5 përqind;  prodhimi  me 363 ndërmarrje të regjistruara 15.7 përqind; Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 270 ndërmarrje të regjistruara 11.7 përqind; Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 225 ndërmarrje të regjistruara 9.7 përqind; Ndërtimtaria  me 213 ndërmarrje të regjistruara 9.2 përqind, etj.

Rreth 96 përqind e ndërmarrjeve të themeluara numërojnë 1 deri në 4 të punësuar

“Gjatë këtij tremujori, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 209 ndërmarrje të regjistruara (95.6%);  në kategorinë me 5 deri 9 të punësuar janë 64 sosh (2.8%); në kategorinë me 10 deri 19 të punësuar janë 25 ndërmarrje të regjistruara (1.1%); në kategorinë me 20 deri 249 të punësuar janë 13 ndërmarrje të regjistruara (0.6%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka ndonjë një ndërmarrje të regjistruar.”, njofton ASK.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 741 ndërmarrje të regjistruara 32.1 përqind; Ferizaj me 178 ndërmarrje të regjistruara 7.7 përqind; Prizreni me 162 ndërmarrje të regjistruara 7.0 përqind;  Gjilani me 139 ndërmarrje të regjistruara 6.0 përqind; Peja me 133 ndërmarrje të regjistruara  5.8 përqind; dhe Fushë Kosova me 101 ndërmarrje të regjistruara 4.4 përqind. Ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës i bëri të ditur me publikimin e raportit “Repertorin Statistikor  mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e parë (TM1) 2020”.