25 mostra pozitive me COVID-19 janë dërguar në Gjermani të dyshuara me “Omicron”

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka deklaruar se më 25 dhjetor janë nisur për në Gjermani 25 mostra pozitive me COVID-19 për të identifikuar nëse këto mostra janë të prekura me variantin e ri “Omicron”.

Rezultatet e këtyre mostrave priten të kthehën në javën e parë të muajit janar 2022.

“Ne kemi dërguar mostra pozitive çdo 2-3 javë dhe rezultatet i kemi pranuar pas 10-14 ditëve nga nisja e dërgesës”, sqaron Instituti për KALLXO.com duke potencuar se Kosova është njëri ndër vendet e rajonit që ka dërguar më së shumti mostra për identifikim të B.1.1.529 apo “Omicron”.

Në Kosovë ende nuk është shfaqur ndonjë rast pozitiv me variantin e ri “Omicron” të SARS-CoV-2 përderisa shumë vende të botës janë duke u ballafaquar me raste të larta pozitive me këtë variant.
Me të filluar përhapja e “Omicron” shumë vende të Evropës dhe botës kanë marrë masa të reja për të parandaluar përhapjen e këtij varianti.

Varianti i ri “Omicron” për herë të parë u shfaq në Afrikën e Jugut, përderisa bota është duke luftuar virusin COVID-19.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë në botë, vaksinimi është mënyra e vetme për të parandaluar vdekshmërinë nga ky virus përmes së cilit po krijohen variante të reja.

IKShPK: Sot pritet të arrijnë testet për verifikimin e variantit “Omicron”