IKShPK: Sot pritet të arrijnë testet për verifikimin e variantit “Omicron”

Mostrat e dyshimta për variantin e ri “Omicron” apo “B.1.1.529” shumë shpejtë pritet të testohen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Nga Instituti kanë bërë të ditur se sot pritet të arrijnë në Prishtinë kitet RT PCR të porositura me ndihmën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zyra rajonale për Evropë.

“Varet nga procedurat e zhdoganimit se sa shpejtë do të arrijnë në IKSHPK kështu që shumë shpejtë do të kryhet konfirmimi i variantit “Omicron” të SARS-CoV-2 edhe nga ne”, thonë në IKSHPK.

Përderisa, IKShPK, thekson se në fillim të këtij muaji ka pranuar të gjitha pajisjet dhe kitet përmes së cilës kryhet sekuencionimi i gjenomit apo diagnostifikimi i variantit “Omicron”, mirëpo për të arritur deri të sekuencionimi i gjenomit, si shërbim i ri mikrobiologjik, Instituti ka aranzhuar trajnime për stafin shëndetësor në vend për gjatë dy muajve të ardhshëm, janar dhe shkurt të vitit 2022.

IKShPK po ashtu sqaron se trajnimi do të mbahet nga përfaqësuesi rajonal i Robert Koch Instituti në Berlin të Gjermanisë dhe Programi Rajonal i OBSH-se për COVID 19.

“Me përpara personeli i Mikrobiologjisë në IKSHPK nuk ka pasur mundësi të trajnohet në Next Generation Sequencing (Sekuenca e gjeneratës së ardhshme) si dhe po ashtu njëra nga mangësitë kryesore qëndron në faktin se ne nuk kemi ekspert të Bioinformatikës në Kosovë që do të merrej me analizën e të dhënave që fitohen nga sekuencionimi”, thuhet në përgjigjen e Institutit dhënë për KALLXO.com përderisa potencojnë së gjatë trajnimit do të përzgjidhet një ekip nga Departamenti i Mikrobiologjisë në Institut.

IKShPK thotë se trajnimi ka për qëllim të aftësoj personelin shëndetësor të kryejnë sekuencionimin e SARS-CoV-2 gjatë vitit 2022.

IKSP është pjesë e një programi të Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) për diagnostifikimin e SARS-CoV-2. Përmes këtij programi IKShPK thotë se çdo javë, kryesisht çdo të hënë ose të martë, mund të dërgojnë mostra pozitive përmes World Courierit në Gjermani për identifikim nëse mostrat janë të prekura nga variant “Omicron”.

“Ne kemi dërguar mostra pozitive çdo 2-3 javë dhe rezultatet i kemi pranuar pas 10-14 ditëve nga nisja e dërgesës”, thonë në IKSHPK, duke shtuar se Kosova është njëri ndër vendet e rajonit që ka dërguar më së shumti mostra për identifikim të B.1.1.529 apo “Omicron”.

Sekuencionimi i variantit “Omicron”, IKShPK thotë se ka një kosto shumë të lartë, “veçanërisht për vendet si Kosova, kështu që programi i ECDC-se ka qenë mëse i qëlluar për ne”

Më datën 20 dhjetor 2021 janë nisur 25 mostra pozitive SARS-CoV-2 të mbledhura gjatë dy javëve të fundit në IKShPK dhe rezultatet e tyre priten të kthehen në javën e parë të janarit 2022.

Në Kosovë ende nuk është shfaqur ndonjë rast pozitiv me variantin e ri “Omicron” të SARS-CoV-2 përderisa shumë vende të botës janë duke u ballafaquar me raste të larta pozitive me këtë variant.
Me të filluar përhapja e “Omicron” shumë vende të Evropës dhe botës kanë marrë masa të reja për të parandaluar përhapjen e këtij varianti.

Varianti i ri “Omicron” për herë të parë u shfaqë në Afrikën e Jugut, përderisa bota është duke luftuar virusin COVID-19.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë në botë, vaksinimi është mënyra e vetme për të parandaluar vdekshmërinë nga ky virus përmes së cilit po krijohen variante të reja.