12 pacientë me COVID-19 po trajtohen në Spitalin e Prizrenit

12 pacientë me COVID-19 po trajtohen në në Spitalin Regjional të Prizrenit që nga 18 prilli.

Në një bisedë për KALLXO.com, drejtori i spitalit, Afrim Avdaj ka dhënë informacione rreth trajtimit të tyre si dhe stafit që po përkujdeset për këta pacientë.

Avdaj ka thënë se të gjithë pacientët janë nga Reparti i Hemodializës dhe po trajtohen në aneksin e veçantë në repartin e Hemodializës me 6 shtretër dhe me hyrje të veçantë për personel dhe hyrje të veçantë për pacientë.

Ndërsa Avdaj po ashtu ka treguar se për këta pacientë janë duke u kujdesur 2 mjekë, 4 infermierë dhe 1 punëtor i higjienës duke shtuar se ky personel është i pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për trajtimin e COVID-19, ndërsa asnjëri nga pacientët, të cilët po trajtohen, nuk janë të hospitalizuar pasi nuk kanë simptoma.

Po ashtu, drejtori Avdaj ka thënë se në Spitalin Regjional të Prizrenit, me COVID-19 janë të infektuar 2 mjekë, 13 infermier/e, 1 punëtore teknike dhe 1 punëtor i higjienës, kurse të gjithë ndodhen në vetizolim.

“Të gjithë janë në vetizolim shtëpiak dhe gjendja e tyre është stabile dhe pa simptoma, përveç një infermiereje e cila është duke u trajtuar në QKUK dhe sipas informacionit të fundit ajo në ritestimin e parë ka dal negativ. Presim që këtë javë të bëhet ritestimi i tyre, dhe sipas rekomandimeve të IKSHP-së ata të rikthehen në punë”, thotë ai.

Avdaj ka treguar gjithashtu se për pacientët pozitiv me COVID-19 punohet me orar të veçantë, ndërsa pacientët tjerë me hemodializë para hyrjes përdorin maska dhe dorëza si dhe u bëhet matja e temperaturës dhe anamneza dhe se pas çdo seance të hemodializës bëhet dezinfektimi i hapësirave.

Të dhënat e publikuara në web-faqen e spitalit tregojnë se është formuar Ekipin për menaxhimin e situatës dhe marrjen e masave mbrojtëse për Coronavirus.

Të dhënat tregojnë po ashtu se janë  caktuar  6 dhoma të  izoluara në  repartin e Infektivës me 12 shtretër, me hyrje dhe dalje të  veçantë, ndërsa në rast nevoje është  në  dispozicion reparti i Infektivës me kapacitet 33 shtretër, 5 mjekë  specialistë infektologë  dhe 11 infermierë /e.

Në Repartin e Hemodializës në Prizren trajtohen 229 pacientë nga të cilët 14 pacientë janë të Veriut të Shqipërisë.

Komuna e Prizrenit është komuna e dytë më e prekur me COVID-19 me gjithsej 84 raste pozitive.

Komuna e Prizreni me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë ka dalë nga karantina me datën 2 maj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ta shpallur zonë karantinë territorin e komunës së Prizrenit.

“Gjykata vendosi me shumicë votash, që Vendimi [nr. 214/IV/2020] i 12 prillit 2020 i Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenin 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Në të gjithë Kosovën, nga 9085 testime të kryera kanë rezultuar pozitiv 860 persona, nga të cilët, 533 janë shëruar ndërsa janë 301 raste aktive.

Gjithashtu, 27 persona kanë vdekur nga COVID-19.