Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut - Foto: REL/LSDM

​Maqedonia e Veriut vazhdon gjendjen e jashtëzakonshme deri më 18 maj

Edhe në 30 ditët në vijim, deri më 18 maj, Maqedonia e Veriut do të jetë në gjendje të jashtëzakonshme. Këtë e bëri të ditur Presidenti i vendit Stevo Pendarovski i cili ka marrë propozimin e dytë nga qeveria për vazhdimin e gjendjes së jashëzakonshme, e që sot u diskutua nga Këshilli i Sigurisë në Vilën presidenciale në Vodno.

“Në bazë ditore kam marrë informacione nga Shtabi Qëndror i Krizës dhe Qeveria, ndërsa dje më dorëzoi raport për masat dhe aktivitetet për 30 ditët e fundit dhe propozim për gjendje të jashtëzakonshme në 30 ditët e ardhshme. Në përputhje me vlerësimet është e qartë se në periudhën në vijim është e nevojshme që sërish të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Vendimin do ta sjellë në bazë të kompetencave të mija Kushtetuese dhe do të zgjasë në 30 ditët në vijim” njoftoi Presidenti i vendit Stevo Pendarovski pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë përcjell TV21.

Kreu i shtetit komentoi edhe për ato që i qujti dilema juridike të dhëna nga ekspertë të ndryshëm rreth gjendjes së jashtëzakonshme.

Tha se ligjet e vendit nuk kanë paraparë një situatë të tillë ku Kuvendi nuk funksionon dhe nuk mund ta konfirmojë vendimin e parë të Presidnetit për gjendjen e jashtëzakonshme, andaj ai si President tha se në këtë situatë e merr përgjegjësinë për sjelljen e një vendimi të këtillë në situatë të paprecedentë, ku më e rëndësishme është ruajtja e jetëve të njerëzve se sa interpretimet juridike.

“Gjendja e jashtëzakonshme ekzistuese përfundon sot, e për shkak të skadimit të afatit 30 ditor për të cilën u pat konfirmuar, formalo-juridikisht nuk do të vazhdohet, sepse për këtë nuk ka bazë kushtetuese. Andaj unë në bazë të një propozimim të ri të qeverisë, dhe në situatë kur Kuvendi nuk punon, do të sjellë vendim të ri për konfirmimin e ekyistimit të gjendjes së jashtëzakonshme në periudhë prej 30 ditësh në gjithë therritorin e shtetit” shpjegoi Pendarovski./TV21