Mimoza Kusari Lila (Alrternativa), Gjakovë. Foto: Kallxo.com

Kusari- Lila Parashikon Kapitullimin e Haradinajt, AKR-së dhe Rendit Shtetëror

Deputetja dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila ka parashikuar kapitullimin e Kryeministrit Ramush Haradinaj, AKR-së dhe siç thotë ajo rendit dhe shtetit ligjor të Kosovës.

Sipas saj, këto kapitullime mund të ndodhin nëse dorëhiqet ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe mbetet në detyrë shefi i AKI-së, Driton Gashi.

“Në rast se ndodh dorëheqja nga ministri Sefaj dhe mbetja në detyrë e shefit të AKI-së, Driton Gashit, atëherë vuloset me të dyja këmbët dhe duart kapitullimi i:
1. Rendit dhe shtetit ligjor të Kosovës
2. Kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë së tij
3. AKR-së si partner qeverisës me çmim të lartë të hyrjes në Qeveri dhe devalvim të shpejtë të saj në të”, ka shkruar Mimoza Kusari- Lila në Facebook.

Ajo ka kërkuar nga shefi i AKI-së Driton Gashi që të largohet nëse i ka mbetur dinjitet.

Tutje Kusari- Lila ka thënë që ata që ishin pjesë e deportimit të 6 shtetasve turq do t’i pret përgjegjësia penale.