Fotografi nga mjediset e Teatrit Kombëtar. Foto: Kallxo.com

Teatri Kombëtar i Kosovës nis sot sezonin e ri me probleme të vjetra

Me xhirollogari të mbyllur, pa nënkod financiar e me shumë probleme tjera, Teatrin Kombëtar i Kosovës do të nisë sot në mbrëmje sezonin e ri të shfaqjeve.

Aktorët e shfaqjes “Destur- Blasfemi e ëmbël” do të ngjiten sot në orën 20:00 në një skenë brenda një objekti që ka nevojë urgjente për renovim në çdo skaj të tij.

Gjendja brenda objektit, sipas drejtuesve të TKK-së, është serioze sa që punëtorët e tij mund të përballen edhe me pasoja fatale.

Objekti i Teatrit, ‘shtëpi partizanësh’

Agim Sopi, drejtor i Përgjithshëm i TKK-së, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës, nuk është objekt teatri, por shtëpi e kulturës të cilën e kanë ngritur, siç ka thënë ai, partizanët (pas Luftës së II-të Botërore) për zhvillim aktivitetesh të ndryshme, para së gjithash politike.

Kjo shtëpi kulture, sipas tij, disa vite më vonë është adaptuar si një sallë emergjente teatrit.

“Edhe pse ndërtesa e TKK-së i është nënshtruar një lloj rinovimi ‘të madh’ në vitin 2004, kjo ndërtesë nuk ka arritur të shndërrohet në teatër funksional. S’do të mund të shndërrohet as tani me renovimet formale që qëllim kanë tenderomaninë”, ka thënë drejtori Sopi, i cili kohë më parë edhe zyrtarisht është bërë anëtar i Vetëvendosjes.

Ai ka thënë se ndërtesa e TKK-së me të gjithë objektet e sallat përcjellëse, ato të dramës dhe baletit, ka nevojë për ndërhyrje të thella.

“Ka nevojë të riparohet skena në tërësi, podiumi, të zëvendësohen cungat e kalbur të cilët çdo çast mund të këputen dhe të kenë pasoja fatale, të izolohet skena në tërësi në aspektin fonik dhe termik, salla e madhe në tërësi, të zëvendësohet parku i dritave krejtësisht të shkatërruara, sistemi i zërimit, garderobat e shndërruara në depo, sallat e provave pa ventilim e me plot lagështi, auditori me karrige të prishura, kabinat teknike totalisht të vjetruara, nyjet sanitare të shkatërruara e kulmi i ndryshkur”, ka thënë ai.

Megjithatë, ka thënë më tej drejtori Sopi, edhe po të ndodh një riparim i tillë rrënjësor, kjo ndërtesë prapëseprapë nuk do të mund të shndërrohet në teatër.

Fotografi nga mjediset e Teatrit Kombëtar. Foto: Kallxo.com

Premtimet për renovim

Se ndërtesa e TKK-së ka nevojë për renovim e ka pohuar edhe kryetar i Këshillit Drejtues të TKK-së, Fisnik Ademi.

Sipas tij, objekti i TKK-së ka nevojë për renovim urgjent sa i përket investimeve emergjente.

“Jam i informuar që një investim emergjent është planifikuar të bëhet në TKK. Përndryshe gjendja në teatër, siç e dimë të gjithë, nuk është e mirë”, ka thënë Ademi.

Ndërkaq zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë thënë për KALLXO.com se janë në dijeni të gjendjes së objektit të TKK-së, dhe për ketë edhe është hapur tenderi për renovim.

“I kemi të ndarë mjetet për renovim të teatrit. Jemi në procedurë të tenderimit dhe pritet përzgjedhja e fituesit”, ka thënë Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS.

Fotografi nga mjediset e Teatrit Kombëtar. Foto: Kallxo.com

 

Fotografi nga mjediset e Teatrit Kombëtar. Foto: Kallxo.com

 

Fotografi nga mjediset e Teatrit Kombëtar. Foto: Kallxo.com
Fotografi nga mjediset e Teatrit Kombëtar. Foto: Kallxo.com