Teatri Kombëtar i Kosovës - Foto: Atdhe Mulla

KD-ja i TKK-së deklarohet për akuzat e drejtorit Agim Sopi

Fisnik Ademi, kryetar i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka mohuar se Këshilli që ai drejton ka censuruar repertorin e propozuar nga udhëheqësi artistik, Agon Myftari, në janar të këtij viti.

Në një prononcim për Kallxo.com, Ademi e ka akuzuar Sopin për ndërhyrje në kompetencat e udhëheqësit artistik dhe të vet Këshillit Drejtues gjatë hartimit të repertorit për vitin 2018, në janar të këtij viti, që u bë shkas për nxjerrje të vendimit për largimin e Sopit nga TKK.

Njëkohësisht Ademi ka drejtuar akuza kundër Agim Sopit, duke thënë se ky i fundit “ka tentuar të bëjë ujdi me Këshillin për të kurdisur repertorin artistik të TKK-së për 2018”.

“Në njërën nga mbledhjet, sa diskutohej për miratimin e repertorit, ai ka lypë me ba marrëveshje me Këshillin. Shumë pastër i kujtoj fjalët e tij dhe i kemi të evidentuara në procesverbalin e mbledhjes, ku Sopi  ka lypë me ba marrëveshje, që nëse ne ia kalojmë teksti që ai kërkon, atëherë edhe ai do t`i kalojë këto tekste”, ka thënë Ademi.

Ndërsa sa i takon teksteve të apostrofuara që dyshohet se janë censuruar, Ademi ka thënë se edhe vetë ka votuar kundër propozimit të tekstit të Nezirajt, pasi ai pak vite më parë ishte inskenuar në një teatër tjetër dhe ishte shfaqur pastaj në disa herë në skenën e TKK-së.

“E vërteta është kjo, ne e kemi konsideruar të paarsyeshme inskenimin këtë sezon të tekstit ‘Shembja e Kullës së Ajfelit’, pak vite më parë dhe pastaj është shfaqur si shfaqje mysafire në TKK. Kurse sa i përket tekstit të Surroit, anëtarët kanë votuar me vullnet të lirë dhe nuk ka kaluar, pasi votat ishin 4 me 3 në favor të tekstit tjetër”, ka thënë Ademi duke mohuar që Bordi të ketë diçka kundër Jeton Nezirajt dhe si dëshmi ka përmendur faktin se po ky Bord që është akuzuar nga drejtori i TKK-së, Sopit ka votuar që shfaqjes ‘Bordel Ballkan’ me tekst të Nezirajt t’i vazhdohet edhe për një vit kontrata për t`u shfaqur në TKK.

Kurse sa i përket akuzave se KD i Teatrit ka larguar një shfaqje nga repertori, Ademi ka thënë se ajo është bërë për shkak se kostoja e shfaqjes ishte paraparë të kalonte 40,000 euro.

“Planifikimi i buxhetit ishte paraparë deri në 455,000 euro ndërsa prej ministrisë janë aprovuar pre këtë vit vetëm 370,000 euro”, ka thënë ai. Kjo, sipas Ademit, e ka shtyrë Bordin që ta rrëzojë nga repertori njërën prej shfaqjeve të parapara për inskenim për këtë vit.

Në anë tjetër drejtori i Përgjithshëm i TKK-së, Agim Sopi, nuk u është përgjigjur deklaratave të Ademit, pavarësisht se Kallxo.com ka provuar të marrë një version të tij.

Të hënën e kaluar, më 1 tetor 2018, një ditë pasi u rikthye në postin e drejtorit të Përgjithshëm të TKK-së, gjatë një konferencë të mbajtur për media Sopi ka drejtuar akuza ndaj Këshillit Drejtues të Teatrit, i cili më se gjashtë muaj më parë e kishte shkarkuar  nga pozita e drejtorit.

 

https://kallxo.com/drejtori-i-rikthyer-agim-sopi-kerkon-shkarkimin-e-keshillit-drejtues-te-tkk-se/

 

Këshilli Drejtues i TKK-së është përgjegjës për miratimin e repertorit vjetor të TKK-së, pas propozimeve të udhëheqësit artistik dhe në përputhje me buxhetin vjetor të Teatrit.

Agim Sopi ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të TKK-së më 27 mars të këtij viti nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ndërsa javën e kaluar KD-ja vendosi ta respektojë një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimin Civil të Kosovës, të marrë në muajin e kaluar për kthim të Sopit në krye të Teatrit, pasi kishte konstatuar se ai ishte shkarkuar jashtëligjshëm.