FOTO: Facebook i Sinan Kajtazit

Sinan Kajtazi zgjidhet drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës

Sinan Kajtazi është zgjedhur drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës.

Kajtazi është vlerësuar si kandidati më i suksesshëm gjatë procesit të përzgjedhjes së drejtorit të BKK-së nga ana e Këshillit Drejtues të këtij institucioni.

Vendimi për përzgjedhjen e Kajtazit është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në garë për postin e drejtorit të BKK-së ishin: Mirsad Ferati, Sinan Kajtazi, Labinot Rexhepi dhe Sabrije Spahiu.

Pas testimit, për intervistim u kualifikuan vetëm Mirsad Ferati dhe Sinan Kajtazi, të cilët grumbulluan pikët e nevojshme për të kaluar në fazë tjetër të konkursit.

Kandidatja Sabrije Spahiu nuk mori pjesë në testimin me shkrim, kurse Labinot Rexhepi nuk mori pikët e nevojshme pas testimit për të kaluar në fazën tjetër.

Sipas vlerësimit të jurisë, pas përfundimit të intervistimit, Sinan Kajtazi doli kandidati i parë duke grumbulluar 83.40 pikë. Ndërsa Mirsad Ferati doli i dyti me 51.45 pikë.

Sinan Kajtazi ishte zgjedhur drejtor i BKK-së në 2019, por vendimi për zgjedhjen e tij u anulua pas një opinioni të Agjencisë Kundër Korrupsion, sipas të cilit, zgjedhja e Kajtazit përbënte konflikt interesi.