Shpallen dramat fituese të çmimit "Katarina Josipi" për 2023

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë publike dramat fituese të konkursit për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”, për vitin 2023.

MKRS-ja ka bërë të ditur se çmimi i parë për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2023 i është ndarë dramës “Gërrdia” me shifrën “Pamuk”.  Çmimi i dytë i është ndarë dramës “Uellsi ka një Mbret” me shifrën “Cardiff”. Ndërsa, çmimi i tretë iu dha dramës “Marshi i hijeve të diellit” me shifrën shifra “Kokëçarja”.

Për shkak se aplikimet për çmimin “Katarina Josipi” bëhetnme shifër, fituesit për të marrë çmimet duhet të lajmërohen në MKRS përmes e-mailit për të konfirmuar autorësinë e veprës fituese.

“Meqë mënyra e konkurrimit ka qenë konfidenciale, identifikimi i aplikantëve ka qenë përmes shifrave, andaj, lusim laureatët e çmimeve, që sipas shifrave përkatëse, të lajmërohen sa më parë në e-mail adresat: [email protected] dhe [email protected]”- thuhet në njoftimin e MKRS-së

Sipas MKRS-së, së bashku me konfirmimin, fituesit sipas shifrave duhet të dërgojnë dramat e tyre në mënyrë elektronike, që t’i verifikojë juria autorët dhe autorësinë e dramave të tyre.

Çmimi për dramën origjinale shqipe që ndahet nga MKRS-ja mban emrin e pionieres së aktrimit në Kosovë, Katarina Josipit.

Katarian Josipi u lind në fshatin Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, pikërisht më 9 nëntor të vitit 1923. Karrierën si aktore e nisi në teatrin e Ferizaj, ndërsa prej vitit 1948 ajo kaloi në Teatrin profesionist në Prishtinë. Vdiq më 29 prill 1969 në Prishtinë.