Osmani për vdekjen e Kadaresë: Populli i Kosovës në zi, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës për liri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me vdekjen e Ismail Kadaresë, populli i Kosovës ka humbur kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar.

“Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin ‘Hasan Prishtina’”- ka thënë Osmani përmes një postimi në Facebook më 01.07.2024.

E para e shtetit ka vazhduar më tej duke thënë se Kadare ishte gjeniu shqiptar i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve.

“Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore”- ka shkruar ajo ndër të tjerash.

Sipas saj, Kadare kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke bërë që edhe shqiptarët e Kosovës ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë.

“Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit. Lavdi veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare!”- ka theksuar Osmani.

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare ka vdekur në mëngjesin e 01.07.2024, në moshën 88-vjeçare në Tiranë.

Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër – një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë. Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.

Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”. Ai, gjithashtu, hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde.

Bën fjalë për historinë e një gjenerali italian, i cili shkon në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore për të marrë trupat e ushtarëve italianë. Kadare është “një nga romancierët më bindës që shkruan në çdo gjuhë”, shkroi Wall Street Journal për të.

Ismail Kadare është autori më i njohur i letërsisë shqipe dhe shkrimtari më i përkthyer shqiptar në gjuhët e huaja.

Librat e tij tashmë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës.

Kadare emigroi në Francë në vitin 1990, pasi bëri deklarata në favor të demokratizimit.

Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike.

Kadare fitoi disa çmime ndërkombëtare. Me vite, u përmend edhe si pretendent i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsinë.

Vitin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron, i dha titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit” gjatë një vizite që bëri në Tiranë.