Nis Seminari i gjuhës shqipe, nderohet themeluesi Idriz Ajeti

Me një minutë heshtje në nderim të Idriz Ajetit, njërit prej themeluesve të seminarit, ka nisur në Prishtinës Edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Ceremonia zyrtare e hapjes së edicionit të sivjetmë të seminari është mbajtur në Bibliotekën Universitare, në prani të personaliteteve shkencore albanologjike dhe qindra seminaristëve nga vende e huaja.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, ka potencuar me këtë rast se seminari është aktivitete më cilësore dhe më me vlerë  për albanologjinë.

“Sesionet shkencore, referimet, tryezat shkencore, ligjëratat e veçanta dhe kurset e gjuhës shqipe dhe aktivitete kulturor argëtues janë shtyllat themelore të seminarit”, ka thënë dekanja Rugova.

Ndërsa rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ka thënë se organizatorët duhet të mbajnë aktivitete nga ky seminar edhe në Shqipëri, me qëllim që ky aktivitet të jetë sa më mbarëkombëtar.

“Do të kërkoja nga drejtuesit e Fakultetit Filologjik të UP, dhe atyre të Fakultetit Filologji Histori të UT që  seminari të ketë një lëvizshmëri më të madhe, ku një prej sesioneve shkencore  të zhvillohet në Tiranë”, ka potencuar rektori Koni.

Rektori Koni po ashtu ka kërkuar nga dy fakultetet që të themelojnë një revistë të përbashkët me kode ndërkombëtare që, siç ka thënë ai, studimet e prezantuara në seminar të kenë një impakt sa më ndërkombëtar.

Kurse nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Jusuf Bajraktari, ka potencuar mbështetjen që akademia jep për seminarin dhe respekt të veçantë.

“Falënderoj pjesëmarrësit albanologët e shquar që vijë nga vendet e huaja të cilët janë  një mbështetje e fuqishme edhe për afirmimin e vlerave tona kulturore shkencore e historike, ne mënyrë të veçantë për prezantim të realitetit të Kosovës”, ka thënë akademik Bajraktari.

Seminari i 38-të është hapur nga drejtori i këtij seminari, Shkumbin Munishi, i cili gjatë fjalës së tij ka thënë se ky seminar është edhe një hallkë tjetër në zinxhirin e një tradite albanologjike të nisur këtu e dyzet e pesë vjet më parë.

“Janë 45 vjet kur ka filluar organizimi i këtij aktiviteti mbase më i rëndësishme në fushën e albanologjisë. Edhe këtë vit seminari ka arritur të mbledhë dashamirës të shumët të gjuhës, letërsisë, kulturës e  historisë nga gjithë bota, duke vazhduar kështu të jetë ngjarja më e rëndësishme e kulturore e shkencore në hapësirat shqiptare”, ka thënë drejtori Munishi.