Foto: KALLXO.com

Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, interpretohen poezi të Asdrenit, Martin Camajt dhe Ali Podrimjes

Në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare u mbajt orë letrare.

Poezitë e interpretuara ishin ato të triadës poetike: Asdrenit, Martin Camaj dhe Ali Podrimjes.

Nuk munguan as notat muzikore që shoqëruan poezitë dhe krijuan një atmosferë të këndshme për publikun.

Interpretimi i himnit kombëtar ishte pikënisja e cila u prezantua para audiencës në mesin e të cilëve kishte edhe seminaristë të huaj, të cilët u ndanë të kënaqur me mbarëvajtjen e orës artistike duke theksuar që poetika shqiptare është e bukur por në të njëjtën kohë edhe e vështirë.

Kështu Jakub Drogowski nga Polonia tha për KALLXO.com që ka nevojë të dëgjojë më shumë poezi në gjuhën shqipe.

“Letërsia shqiptare është e vështirë. Poetika është e bukur, seminari më ka ndihmuar të mësoj më shumë dhe shpresoj të përvetësoj gjuhën shqipe” – bëri të ditur Drogowski.

Ai po ashtu si student i ‘Filologjisë Ballkanike’ tregoi që shqipja është e vështirë për shkak të përdorimit të dialegut gegë.

Meqë kishte vizituar Shkodrën ai thotë që ka ngjashmëri me të folurën në Kosovë, pavarësisht që Shqipëria flet gjuhën standarde të cilën ka dëshirë të flasë ai.

Njëra ndër organizatoret e orës letrare, Edlira Musliu, thotë që janë përzgjedhur këta autorë të triadës poetike shqiptare për të vënë në pah pasurinë që ka letërsia jonë si dhe për ta prezantuar atë edhe para audiencës ndërkombëtare.

“Është mundësi e mirë që të rinjtë nga vende të ndryshme të botës të jenë pjesë e kësaj ore poetike  në kuadër të seminarit, të njihen me autorët dhe të krijojnë  ura lidhëse me të rinjtë e Kosovës”- theksoi ajo për KALLXO.com.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka filluar më 15 gusht dhe do të zgjasë deri më 26 gusht. Pjesë e tij janë mbi 150 seminaristë.