Nesër nis kategorizimi i aktorëve në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka emëruar Komisionin për kategorizimin e aktorëve të Teatrit, sipas rregullores 04/2019 për Themelimin dhe funksionimi e Ansamblit rezident të aktorëve të TKK-së dhe teatrove të qyteteve.

Komisioni do të nisë nesër (18 shtator 2019) punën për kategorizimin e 24 aktorëve, aq sa tashmë ka në përbërje Ansambli rezident i aktorëve të TKK-së.

Fisnik Ademi, kryetar i Këshillit Drejtues të TKK-së ka konfirmuar për Kallxo.com themelimin e Komisionit të kategorizimit dhe ecurinë për procesin e kategorizimit të aktorëve të Ansamblit rezident të aktorëve.

“Komisioni është formuar dhe nesër nis procesi i kategorizimit dhe besojmë se deri të premten e ardhshme mbyllet ky proces”, ka thënë Ademi për Kallxo.com.

Sipas Ademit, Komisioni i kategorizimi përbëhet nga Kushtrim Sheremeti, aktor, kryesues i komisionit, Igballe Qena, aktore, Kumrije Hoxha, aktore, Haqif Mulliqi, dramaturg dhe Erson Zymberi, regjisor.

Në bazë të Rregullores për Themelimin e Ansamblit rezident të TKK-së dhe teatrove të qyteteve, aktorët e trupës rezidente të TKK-së, ndahen aktorë doajen, dhe të kategorizuar në tri kategori; në kategorinë e Parë, të Dytë dhe aktorë në Trupën rezidente.

Nën nenin 10 të kësaj rregulloreje jepen edhe procedurat e kategorizimit të aktorëve, përbërjen e komisionit dhe kriteret për kategorizim.

“Vlerësimi për kategorizimin e aktorëve bëhet çdo dy vjet dhe atë në fund të muajit qershor. Procesi i vlerësimit nuk mund të zgjas më shumë se dy muaj. Komisioni për kategorizimin përbëhet nga 5 anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Drejtues”, thuhet ndër të tjerash në nenin 10 të rregullores për themelimin dhe funksionimin e ansamblit rezident të TKK-së, përkatësisht, pika 1 dhe 2 e këtij neni.