Pamje nga debati. Foto: KALLXO.com.

Debati për teatrin, akuza e kërkesa për ministrin e Kulturës Hajrulla Çeku   

Me akuza dhe kërkesa të shumta për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dh Sportit, është përballur dje në “Kino Armata”, ministri Hajrulla Çeku, gjatë debatit me komunitetit teatror në vend.   

Ministri i Kulturës, Çeku ka mbajtur të enjten në mbrëmje takimin e fundit për këtë vit me artistë të teatrit, në kuadër të debateve më komunitetet artistike në vend.   

Gjatë këtij debati, ku nuk munguan edhe tensionet, për mëse  dy orë, ministri është përballur me akuza se po anashkalon parregullsitë dhe shkeljet ligjore që janë bërë për vite me radhe në fushën e teatrit. Veçmas në Teatrin Kombëtar, konkurse për zgjedhjen në këtë teatër, pastaj mënyrën se si mbështeten projektet teatrore nga MKRS.    

Por, ministrin Çeku i hodhi poshtë akuzat, duke u kërkuar krijuesve teatrorë prezent gjatë debatit të mos ndalen në interesat personale, por të diskutojnë për të nxjerrë teatrin nga gjendja ku është futur.   

“Krejt ajo që po dëgjojmë është ‘ma ka bë – ja kam bërë’. Mendoj se duhet të diskutojmë rreth asaj se cila është mënyra duhur për të përmirësuar fushën e teatri, të diskutojmë, të dëgjojmë propozime. Është e vërtetë se ka burokraci dhe probleme, por duhet të diskutojmë që t’ i tejkalojmë këto”, ka thënë Çeku.   

Ai ka thënë se ministri ka nisur hartimin e strategjisë kombëtare për kulturë, që është një rast për edhe fushën e teatri.   

Akuzat e komunitetit   

Naim Berisha, nga Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtare të Kosovës, ka thënë se ministria duhet të detektojë gjendjen e teatrove, sidomos sa i përket respektimit të ligjit, para se të merr veprime për teatrin në kuadër të strategjisë për kulturë.   

“Respektimi i ligjit, sidomos në TKK është në gjendje të rëndë dhe këtë e argumentojnë dokumente dhe vendim nga institucione si Gjykata, Agjencia Kundër Korrupsionit  e Avokati i Popullit, ku kanë evidentuar në vazhdimësi shkelje të shumta ligjore në këtë teatër. Aktërët që i kanë shkelur ligjet duhet vënë para drejtësisë”, ka thënë ai.   

Ndërsa, Flutra Zymi nga OJQ “Qytetarët aktivë” ka kërkuar sqarime nga ministri për mos qasje në dokumente të kërkuar dhe funksionimin e skenës së vogël në TKK.   

Mandej ajo ka thënë se janë një pjesë prej dhjetëra artistëve të cilat po vendosin për zhvillimin teatror në vend.   

“Nuk e di a keni bërë aludimit në tetarët dhe si është krijuar monopoli, por nëse e bënë një në të gjitha institucionet ju keni me pa se janë 30- 40 persona që e udhëheqin sot skenën kulturore në vend”, ka thënë Zymi.   

Kurse, Sokol Plakolli ka akuzuar ministrin se nuk po merr masa ndaj keqpërdorimeve dhe shkeljeve, siç ka thënë ai, ligjore që po ndodhin në TKK-në. Ai ka shpalosur një baner me thirrjen “Protestë kundër analfabetëve në TKK”.   

“Për më keq, 90 gabime drejtshkrimore janë bërë nga Këshilli Drejtues i TKK-së në 15 rreshta në testin me shkrim për kandidatët për konkursin e fundit për drejtor. Albin Kurti thoshte se me ia shkrua një letër një qytetar me gabime nuk ia lexon”, ka thënë Plakolli.    

Ministri Çeku ka hedhur poshtë akuzat dhe i ka kërkuar Zymit dëshmi për akuzat e saj dhe dërgimin e tyre në prokurori, ndërsa i ka thënë Plakollit se nuk i është përgjigjur, e as nuk do t‘i përgjigjet në fyerjet e tij.   

“Sokol, në takimin e fundit që e kemi pasur bashkë të kamë lutë mos me më fyt aq ulët, nuk je ndal dhe kam vazhdua mos me tu përgjigje në fyerje. Për këtë që e ke ba për TKK është intimidim, denigrim”, ka thënë Çeku.   

Në debat janë përfshirë edhe drejtues të teatrove komunale, dramaturgë, regjisorë e aktorë të papunë, të cilët dhanë ide dhe kërkuar nga ministri Çeku angazhim për rregullimin e fushës së teatri.   

Pamje nga debati. Foto: KALLXO.com.