Në Bosnje H. nis xhirimi i filmit për ilirët, pjesë e tij edhe artistë nga Kosova

Në Bosnje e Hercegovinë ka filluar xhirimi i filmit të metrazhit të gjatë, “Illyrcum” i regjisorit kroat, Simon Bogojeviç Narath.

Pjesë e këtij filmi do të jenë dhe dhjetëra aktorë nga Kosova.

Filmi është bashkëprodhim i shumë kompanive filmike, në mesin e tyre edhe kompania filmike, “Buka” sh.p.k. nga Prishtina.

Aktori Fatmir Spahiu, pronar i Kompanisë, “Buka” sh.p.k., ka bërë të ditur përmes Facebookut, se ky është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur me ju njoftu që në Bosnje e Hercegovinë ka filluar me u xhiru filmi i metrazhit të gjatë ‘Illyrcum, me skenar dhe regji të regjisorit të njohur kroat Simon Bogojeviç Narath. Me pjesëmarrje shumë të aktorëve të njohur kosovarë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyçi, Ilir Prapashtica, Dukagjin Podrimaj, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Bujar Ahmeti, Rina Krasniqi, Ali Demi, Gani Morina, Selman Lokaj”, ka shkruar ndër të tjerash Spahiu në Facebook.

Po sipas tij, filmi është bashkëprodhim në mes të Kroacisë (Kinorama), Kosovës (Buka), Italisë (LaSarraz), BiH (Pro.ba) dhe Sllovenisë (Forum Ljubljana).

Filmi do të xhirohet edhe në Itali dhe Kroaci.

Realizimi i këtij filmi sipas Spahiut është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, Friuli-Venezia Giulia Regional Fund, VIBA Film, Euroimages, Komuna e Prishtinës, e kompani tjera.