'The Handke Project’ jepet nesër premierë në teatrin ‘Oda’, nga 4 qershori nis turneun evropian

Shfaqja “The Handke Project”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, do të jepet nesër premierë në teatrin “Oda” në Prishtinë.

Shfaqja jepet në ora 20:00, ndërsa repriza jepet në shtunën (4 qershor 2022) po në “Oda”.

Pas shfaqjes në “Oda”, “The Handke Project, ose drejtësi për marrëzitë e Peter-it”, një projekt teatror ndërkombëtar, që ka bërë bashkë një kastë artistësh nga shumë vende evropiane, do të nisë një turne evropian.

Pas Prishtinës, kjo shfaqje do të jepet në Shkup, Ferizaj e Beograd. Më 6 qershor 2022 do të shfaqet në Shkup, në Teatrin Shqiptar; më 7 qershor në teatrin “Adriana” në Ferizaj. Kurse më 9 dhe 10 qershor 2022 në teatrin “Bitef” në Beograd.

“’The Handke Project’ ka për temë qendrore vendimin kontravers për përcjelljen e nderit të të qenit laureat i çmimit ‘Nobel’ për letërsi tek shkrimtari austriak Peter Handke, përkundër mbështetjes së tij të mirëdokumentuar për Sllobodan Millosheviqin, i cili vdiq gjatë gjyqit për krime lufte në Hagë”, thuhet në njoftimin e Qendrës Multimedia.

Më 23 korrik 202, kjo shfaqje do të jepet në Itali, në festivalin “Mittelfest”; ndërsa nga 25 deri më 30 tetor 2022 në festivalin “Kosovo Theatre Showcase”. Kurse më 10 e 11 nëntor  2022,  ‘The Handke Project” do të prezantohet në  Teatrin Kombëtar të Sarajevës në Bosnjë dhe Hercegovinë.  Një prezantim kjo shfaqje planifikohet ta ketë edhe në teatrin e Dortmundit në Gjermani.

Në shfaqje luajnë: Arben Bajraktaraj, Ejla Bavçiç, Adrian Morina, Klaus Martini, Verona Koxha, Anja Drlević.