Ismail Kadare/ Foto: AShAK

Në nderim të Ismail Kadaresë, ASHAK-u mban mbledhje komemorative të mërkurën

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ka bërë të ditur se të mërkurën, më 03.07.2024, do të mbajë mbledhje komemorative për të nderuar shkrimtarin, Ismail Kadare, i cili vdiq sot, (01.07.2024) në moshën 88 vjeçare.

ASHAK ka bërë të ditur se kjo mbledhje komemorative mbahet të mërkurën, më 3 korrik 2024, në orën 11, në ambientet e akademisë.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë evropiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin ‘Nobel’ dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës”- thuhet në njoftimin e ASHAK-ut për vdekjen e Kadaresë.

Përveç si shkrimtar, thuhet më tej në njoftimin e ASHAK-ut, Ismail Kadare ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe.

Ndërkaq, po sipas këtij njoftimi, letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Më 1991 Kadare ishte zgjedhur anëtar të jashtëm i ASHAK-ut, për kontributin e çmuar në fushën e letërsisë.

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare ka vdekur në mëngjesin e sotëm (01.7.2024) në moshën 88 vjeçare në Tiranë.

Ismail Kadare është autori më i njohur i letërsisë shqipe dhe shkrimtari më i përkthyer shqiptar në gjuhët e huaja.

Kadare u lind më 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës së Letërsisë në Universitetin e Tiranës.