MKRS rikthen në web-faqe njoftimet për konkurse, të fshira javën e kaluar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka rikthyer në web-faqen e saj zyrtare njoftimet për konkurset dhe për emrat e fituesve të dalë nga këto konkurse mes datave nga 26.11.2019 deri më 3.2.2020, që ishin shlyer javën e kaluar.

Që nga e premtja e kaluar KALLXO.com kishte kërkuar një përgjigje nga MKRS -ja lidhur me arsyen  e largimit të njoftimeve për konkurse nga web faqja e saj zyrtare.

Të paktën 10 njoftime për konkurse të punësimit ishin fshirë që nga java e kaluar nga web-faqja zyrtare e Ministrisë.

Por, MKRS-së është përgjigjur në pyetjen e KALLXO.com vetëm pasi sot në mëngjes riktheu në web-faqe konkurset e larguara javën e kaluar.

“Ju informojmë se njoftimet janë rikthyer në ueb faqe siç kanë qenë sipas datave të publikuara dhe sipas renditjes. Për shkak të problemeve të natyrës teknike ka ardhur deri tek kjo gjë. Nuk ka pasur asnjë largim të njoftimit, veçse për shkak të disa ndryshimeve në modulet e brendshme elektronike të strukturës së ueb faqes ka ardhur deri tek kjo problematikë që fatmirësisht është evituar”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Por, MKRS nuk ka dhënë sqarime se si ndodhi që vetëm konkurset e asaj periudhe janë ‘prekur’ nga shkaqe teknike.

Që nga dorëheqja e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Ramush Haradinaj, vitin e kaluar, e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, MKRS kishte hapur disa konkurse publike për rekrutim të stafit civil.

Kryesisht fitues të këtyre konkurseve kanë dalë punëtorë të MKRS që për vite punonin me kontratë mbi vepër në këtë Ministri,  ose pjesëtarë të stafit politik të ish- ministrit Kujtim Gashi, për të cilët ka raportuar KALLXO.com.

https://kallxo.com/lajm/keshilltari-i-ministrit-te-pdk-se-punesohet-ne-ministri

.