foto; Denis Sllovinja
Degradimi për vite, humbet interesimi për pozitat udhëheqëse në Teatrin Kombëtar
Aktualisht, Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) ka mbetur pa dy drejtuesit e tij. Naser Shatrolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm dhe Shefqet Gjocaj, ushtrues i detyrës së Udhëheqësit Artistik të TKK-së, kanë më shumë se dy javë që janë tërhequr nga këto pozita.
Këshilli Drejtues (KD) i TKK-së ende nuk ka mundur të gjejë zëvendësuesit për këto pozita, duke e lënë TKK pa drejtues.
Për mëse dy vjet, TKK ka mbetur pa dy drejtuesit e tij, duke u drejtua nga ushtrues detyre. Deri më tani, MKRS ka anuluar disa konkurse për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm dhe Udhëheqësit Artistik.
KD i TKK-së nuk i është përgjigjur interesimit të Kallxo.com lidhur me vonesat për emërimin e zëvendësuesve në pozitat udhëheqëse në TKK-së, deri në publikimin e artikullit. Po ashtu, KD nuk ka dhënë ndonjë informacion rreth konkursit për zgjedhjen e drejtoitr të Përgjithshëm të TKK-së, që është në proces.
As Ministria e Kulturës nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me këtë konkurs. Ndërsa pas shumë anulimeve, MKRS ka rihapur konkursin për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik.
Njohës të fushës së teatrit thonë se situata qme të cilën po përballet TKK-ja është pasojë degradimeve që i është bërë këtij institucioni kulturor për vite me radhë nga ndikimet politike e klanore.
Teatri i politikës
Regjisori Jeton Ahmetaj, profesor në Fakultetin e Arteve në UP, ka thënë për KALLXO.com se Teatri Kombëtar ka humbur primatin për të qenë i tillë.
Ai thotë se ka humbur besimi se do të ketë procese të rregullta të zgjedhjes së drejtuesve, sepse, siç ka thënë ai, asnjëherë në TKK nuk ka pasur procese të rregullt zgjedhjes apo emërimeve.
“Kanë konkurruar dhe kanë fituar ata që e kanë shtruar rrugën më herët. Kështu janë mësuar, e tash nuk ka premtime e ata që nuk marrin premtim nuk konkurrojnë. Derisa nuk fillojnë të besojnë në institucione, nuk do të ketë ndryshme as në TKK”, ka thënë Ahmetaj.
Naim Berisha, nënkryetar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se përgjegjësia për mosarritjen e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik të TKK-së dhe Drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni për gati tre vjet, bie direkt mbi institucionet dhe organet mbikëqyrëse.
“Ky shembull shpërfaqë më së miri, domosdoshmërinë e vendosjes së individëve kredibil si në aspektin intelektual e profesional, ashtu edhe në atë moral në krye të këtyre institucioneve dhe organeve kaq të rëndësishme, dhe vënien para përgjegjësisë ligjore dhe institucionale të atyre që janë shkaktar direkt apo indirekt të këtij problemi”, ka thënë ai.
Zgjedhja e drejtuesve, sipas ligjit
Zgjedhja e drejtues të TKK-së, drejtorit të Përgjithshëm dhe Udhëheqësit Artistik bëhet nga KD- TKK-së.
“Udhëheqësit e teatrit zgjidhen me konkurs publik, të cilin e shpall Këshilli Drejtues për teatrot kombëtare dhe Komuna për teatrin e qytetit”, thuhet në nenin 13-të të Ligjit për Teatrot.
Mandati i udhëheqësve të teatrit është katërvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër.
Sërish anulohet konkursi për drejtor të përgjithshëm të Teatri Kombëtar
Anulohet konkursi për zgjedhjen e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar