Senati i UP-së miraton konkursin e ri për emërimin, riemërimin dhe avancimin e profesorëve

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë vendim për aprovim të pozitave dhe shpalljes së konkursit për emërimin, riemërimin dhe avancimin të personelit të rregullt akademik të UP-së.

Rektori i Universitetit, Naser Sahiti tha që konkursi më së largu mund të publikohet të hënën e javës së ardhshme, derisa tha se pas miratimit të këtij konkursi, do të bëhen korrigjimet e nevojshme.

“Konkursi do të bëhet me disa korrigjime, që të prezantohet dëshmia e nevojshme nga gjykata për kandidatët që s’janë nën hetime, lëndët që janë të njëjta të behën me një pozicion si dhe emërtimet të bëhen sipas procedurës së akreditimit”, tha Sahiti.

Kjo pikë e rendit të ditës në senat mori miratimin e shumicës së senatorëve dhe pati vetëm dy abstenime.

Senati po ashtu sot mori vendim që të emërojë një anëtar të ri të Këshillit të Etikës, Anton Vukpalaj si dhe profesorin, Bedri Dragusha, anëtar të anëtar të komisionit për sigurimin e cilësisë.