Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Pezullohen procedurat për zgjedhjen e drejtuesve të Teatrit Kombëtar

Këshilli drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë pezulluar deri më 15 shkurt 2021 procedurat për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar.

 Zgjedhjet dhe COVID-19 dalin të jenë arsyet për pezullimin e procedurave për zgjedhjen e drejtuesve të Teatrit Kombëtar, sipas vendimit të këshillit drejtues të TKK-së dhe MKRS-së.

“Tutje me qëllim të ruajtjes së integritetit të oprocesit të rekrutimit, dhe eliminimin e dilemave të mundshme, me qenë se jemi në një periudhë elektorale, KD-ja bazuar në analizën e bërë përkitazi me këtë çështje si dhe bazuar në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, mori vendim për pezullimin e procedurave të rekrutimit për pozitat e lartshënuara, së paku deri më 15 shkurt 2021”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Arsye tjetër në vendim përmendet edhe situata me COVID-19 dhe rreziku sa i përket organizimit të testimeve dhe intervistimeve të kandidatëve në një hapësirë ku, siç thuhet në vendim, përveç kandidatëve dhe komisionit, janë prezenca e komisionerëve dhe monitoruesve.

Një ditë më parë Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) kërkoi nga MKRS anulimin e konkursit për drejtor artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Sipas SHATK –ut, pozita drejtor artistik është hapur në kundërshtim me Ligjin për Teatrin.