Këshilltari i ministrit të PDK-së punësohet në Ministri

Daut Thaqi, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ka fituar një vend të ri të punës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por tani në stafin civil të kësaj Ministrie.

MKRS pak ditë më parë ka bërë të ditur përmes një vendimi se Daut Thaqi ka dalë si kandidati më i suksesshëm në konkursin për: Zyrtar i lartë për integrim të komuniteteve.

Konkursi për këtë pozitë ishte hapur në shtator të vitit të kaluar, por është riaktivizuar pas vendimit të MAP-it se institucionet mund t’i vazhdojnë procedurat e rekrutimit deri në përfundim të masës së përkohshme që i është vënë ligjit për emërimin e zyrtarëve publik nga kushtetuesja.

Daut Thaqi, deri më tani ka kryer pozitën e këshilltarit politik në Kabinetin e ministri të MKRS-së, Kujtim Gashi, post të cilin figuron se e mban ende.

Pavarësisht se shefi i PDK-së Kadri Veseli e kishte lavdëruar ministrin në dorëheqje të Kulturës, Kujtim Gashi, si një prej ministrave më të mirë të PDK-së, ky i fundit nuk ka hezituar t’i bëjë një vend pune këshilltarit të tij në prag të largimin nga kreu i MKRS-së.

Emërimi i menjëhershëm i këshilltarëve politik në zyrtarë civil në institucione e njëjtë konsiderohet konflikt interesi sipas ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga këshilltari Daut Thaqi, por ai nuk është përgjigjur me arsyen se ka një rast që nuk mund të përgjigjet.

Ndërkaq, MKRS në një përgjigje për Kallxo.com për rastin e përzgjedhjes së këshilltari Thaqi si kandidati më i suksesshme për pozitë: Zyrtar i lartë për integrimin e komuniteteve potencon se është e drejtë e garantuar mundësia e konkurrimit në konkurset e ministrisë.

“Është çështje e tij tani se çka vendos a do me mbetet këshilltar apo  zyrtar. Deri tash përvoja jonë flet, agjencion (Aagjencia Kundër Korrupsionit) neve na ka thënë për pozita të cilat kanë qenë politike dhe të tillat kanë qenë vendimmarrëse, që nënkupton duhet me nënshkrua shkresa, e në këtë rast Dauti asnjë herë nuk ka nënshkruar se nuk ka pasur atë roli, por ka pasur rol këshillëdhënës. Kemi interpretime të dyanshme nga agjecioni. Ne e kemi një komision për parandalimin e konfliktit i cili i shqyrton rast në të cilat kur ka dyshime për konflikt interesi”, thuhet në përgjigjen e MKRS për rastin e këshilltarit Thaqi.

Por, neni 18, i Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesin në ushtrimin e funksionit publik, pika 1 konstaton se se zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy vjet pas përfundimit të funksionit publik në institucionin ku ka ushtruar funksionin.

“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë: 1.1. të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre. 1.2. të përfshihet në marrëdhënie kontraktore, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik;”, thuhet në pikën, 1 përkatësisht 1.1. dhe 1.2 të nënti 18 të këtij ligji.