Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Mbi 700 projekte kulturore kërkojnë mbështetje nga Fondi i pakos së ringjalljes ekonomike

Mbi 700 projekte kulturore të OJQ-ve dhe individëve kanë aplikuar në thirrjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetje financiare të projekteve kulturore dhe të trashëgimisë nga Fondi i pakos së ringjalljes ekonomike.

MKRS ka paraparë 1 milion e 710 mijë euro për këtë thirrje publike, nga fondi prej 5 milionë eurove të ndarë nga Qeveria e Kosovës për MKRS-së nga pakoja e ringjalljes ekonomike.

MKRS ka bërë të ditur për KALLXO.com se për këtë thirrje në ministria janë regjistruar 740 aplikime nga OJQ dhe individë.

“Në thirrjen publike të datës, 13.08.202  kanë aplikuar gjithsejt 740 aplikues”, thuhet në përgjigjën e MKRS-së.

Shuma maksimale e mbështetjes financiare për projektet e OJQ-të që mund të aprovohet nga kjo thirrje do të jetë 70,000.00 euro, kurse ajo maksimale e mbështetjes financiare për individë që mund të aprovohet do të jetë 25,000.00 euro.

Shuma e paraparë për mbështetje të projekteve kulturore do të ketë ndikim në skenën e pavarur, për të ciliën dhe është dedikuar thirrja.

Avni Shkodra, aktor, ka thënë për KALLXO.com se e mira e kësaj thirrje është shumë e planifikuar të ndahet për projektet përzgjedhëse.

“E mira e kësaj thirrje publike është shuma maksimale që mund të jepet për një projekt- aplikim, për OJQ-të e kulturës vlera maksimale deri ne 70 mijë euro, për dallim nga herat e kaluara që kjo shumë ka qenë maksimalisht 20 mijë apo 30 mijë”, ka thënë ai.

Shkodra ka thënë se organizata “Varg e vi”, të cilën e drejton ka aplikuar për programin artistik vjetor të 2021-ës.

“Nëse do të përfitonim nga thirrja, do të mund të krijonim një planifikim më të mirë artistik”, ka thënë Shkodra.

Ndërsa, Imer Topanica, shkrimtar e gazetar ka thënë për KALLXO.com se përfitimet nga thirrja e MKRS-së janë të mëdha dhe të shumëfishta.

“Megjithatë politikat kulturore duhet të shkojnë përtej këtij modeli. Konsideroj që një pjesë e mirë e artistëve ende përbëjnë një komunitet të margjinalizuar nga pikëpamja institucionale. Nuk më duket ‘teknikë’ efikase, kjo e cila vetëm i mirëmbanë disa organizata joqeveritare (OJQ-të)”, ka pohuar Topancia.

Ai ka thënë se institucionet mund të bëjnë më shumë për mbrojtjen e të drejtave të autorit që do të mundësonte edhe përfitime nga krijuesit.

“Për t’u zhytur më thellë në këtë çështje, mund të përmend disa probleme. Ndër to, fjala vjen, mund ta përmendim kontratën e autorëve (poetëve, shkrimtarëve, etj.). Shtëpitë botuese tonat, ende ua publikojnë veprat autorëve vendorë, pa e ndjerë si obligim ligjor paraprak, nënshkrimin e një kontrate”, ka thënë Topanica për KALLXO.com.

5 milionë euro është shuma që Qeveria e Kosovës ka ndarë për MKRS-së nga pakoja për ringjallje ekonomike, në gusht të këtij viti. Për sektorin e kulturës dhe të trashëgimisë MKRS ka paraparë 2.5 milionë.