Mbështetësit të Millosheviqit, Peter Handke, i ndahet çmimi Nobel për Letërsi

Shkrimtari austriak Peter Handke është shpallur fituesi i Çmimit Nobel për letërsinë për vitin 2019 nga Akademia Suedeze e Shkencave.

Shkrimtare Handke njihet si përkrahës i Sllobodan Millosheviqit, kur e gjithë bota intelektuale bënte thirrje për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.

Handke mandej i qëndroi në krahë diktatorit serb edhe në vlugun e masakrave që po kryenin formacionet e ndryshme ushtarake serbe në Kosovë gjatë 1998/99.

Ai nuk rreshti së mbështeturi diktatorin serb, qoftë gjatë bombardimeve të NATO-s, edhe pas dëshmimit të krimeve të kryera nga serbët nën drejtimin e Millosheviqit, dhe nuk la pa marrë pjesë edhe në funeralin e tij.

“Unë mendoj se ai ishte një njeri mjaft tragjik. Jo një hero, por një qenie njerëzore tragjike. Por unë jam shkrimtar dhe jo gjykatës. Unë jam një adhurues i Jugosllavisë – jo aq shumë i Serbisë, por i Jugosllavisë – dhe kam dashur të shoqëroj rënien e vendit tim të preferuar në Evropë, dhe kjo është një nga arsyet për të qenë në funeral”, kishte thënë ai në një intervistë për prestigjiozen amerikane “The New York Times” më 2006.

Handke vazhdimisht ishte shprehur kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë.

“Për shkak të bombardimeve të NATO-s, unë ndiej neveri ndaj specieve njerëzore. Ata që kanë bombarduar dhe vrarë mijëra – ata nuk i përkasin Evropës ose planetit Tokë”, kishte thënë Handke gjatë një intervistë në televizionit publik serb në mars të këtij viti.

Handke e kishte përjetuar keq edhe pavarësinë e shtetit të Kosovës. Në 2008 ai kishte dhënë një intervistë për mediet franceze.

“Duke njohur shtetin shqiptar të Kosovës, perëndimi i dha popullit serb në Kosovë një goditje vdekjeprurëse dhe i bëri ata të burgosur dhe refugjatë në vendin e tyre,” shkruante në 2008, gazeta serbe “Politika”, duke cituar një shkrim të botuar nga Handke në një prej mediave franceze.

Nga dashuria e madhe për serbët Handke kishte vizituar vendbanimet serbe në Kosovë në 2015 dhe sipas raportimeve të televizioni publik serb, RTS, shkrimtari austriak kishe dhuruar 50,000 euro për serbët e mbetur në Hoçë të Madhe për ndërtimin e një pishine.

“Shkrimtari austriak Peter Handke ka qëndruar për disa ditë në Kosovë dhe Metohi, me ku ka dhuruar një donacion prej 50.000 eurove për serbët e mbetur në fshatin Hoçë për ndërtimin e një pishine”, shkruante RTS në 2015.

Po si lindi dashuria e madhe e Handke për serbët dhe diktatorin Millosheviq?

Në një intervistë të dhënë për prestigjiozen amerikane “The New York Times” ai kishte treguar se si ishte lidhur me Jugosllavinë.

“Unë jam austriak, por nëna ime ishte sllovene. Vëllai i saj ishte bërë partizan në Jugosllavi në mes dy luftërave botërore dhe kur Hitleri e aneksoi Austrinë daja im ishte austriak, ai u detyrua të jetë pjesë e ushtrisë naziste. Ai vdiq në Rusi shumë kohë më parë. Ky ishte fillimi i shkrimeve të mia, tregimet e nënës sime rreth vëllait të saj.  Kjo lidhje më Jugosllavinë filloi shumë kohë më parë kur unë isha fëmijë”, ka thënë Handke  në një intervistë për “New York Times”.

Shkrimtari austriak ka lindur në viti 1942 në fshatin Griffen në regjionin Karnten të Austrisë Jugore.

Nga viti 1961 ai ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Grazit. Por i ndërpreu studimet disa vjet më vonë kur e publikoi novelën, “Die hornissen”, në vitin 1966.

Opusi i tij letrar përfshinë një numër të madh të romaneve, eseve, dramave, skenarëve, pa lënë anash edhe publicistikën.