Peter Handke shpallet 'non-grata' në Kosovë

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli e ka shpallur person të padëshirueshëm në Kosovë, fituesin e çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke.

Shkrimtari austriak, Handke e mohon gjenocidin e kryer në Bosnje dhe të vrarët e luftërave në Ballkan gjatë viteve ‘90.

Pacolli në rrjetin social Facebook ka shkruar se Handke nga sot është person non-grata në Kosovë.

“Sot kam vendosur të shpalli Peter Handke si jo të mirëpritur në Kosovë. Ai është një person non-grata nga sot. Mohimi i krimeve dhe mbështetja e kriminelëve është krim i tmerrshëm”, thuhet në publikimin e Pacollit.

Shkrimtari austriak Peter Handke dje ka pranuar Çmimin Nobel për Letërsi nga Mbreti i Suedisë Karl Gustav, në ceremoninë e organizuar në Stokholm, ndonëse kjo ceremoni ishte bojkotuar nga shume shtete.

Në shenjë pakënaqësie Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Afganistani bojkotuan ceremoninë e dhënies së çmimit, duke kundërshtuar qasjen e Peter Handke.

Më shumë se 58 mijë njerëz kanë nënshkruar një peticion online duke kërkuar që çmimi për Handken të tërhiqet.

Ndërsa menjëherë pas ndarjes së çmimit Christina Doctare, një doktoreshë suedeze, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe më 1988, si anëtare e forcës paqeruajtëse të OKB-së, ka njoftuar se do t’ia kthejë medaljen Akademisë Mbretërore Suedeze në shenjë proteste.

“Kam qenë krenare për Akademinë më parë, Çmimi Nobel ishte një punë e madhe për Suedinë çdo vit. Tani ndjehem e turpëruar dhe fajtore”, ka thënë Doctare, raporton BalkanInsight.

Mirëpo pavarësisht të gjitha këtyre, shkrimtari austriak Peter Handke në një ceremoni luksoze pranoi një çmim prej 935,000 dollarësh, së bashku laureatët e mjekësisë, fizikës, kimisë dhe ekonomisë.

Mes shumë kritikash, Handke pranon Nobelin