Serbët e Bosnjës nderojnë Peter Handke, fituesin e çmimit Nobel në letërsi

Autoritetet serbe të Bosnjës nderuan me një çmim fituesin e Çmimit Nobel, Peter Handke, i cili është akuzuar për përkrahje të Sllobodan Millosheviçit dhe minimizim të gjenocidit të Srebrenicës.


Presidentja e Republikës Srpska, Zeljka Cvijanovic, i dha autorit polemik austriak Peter Handke Urdhrin e Republika Srpska të premten në Banja Luka për “punë dhe kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e zhvillimit kulturor dhe shpirtëror”.

Laureati austriak i Nobelit, i cili është akuzuar për minimizimin e mizorive të kohës së luftës nga forcat serbe, u mirëprit në ndërtesën e qeverisë së Republikës Srpska nga anëtari i presidencës stetërore të Bosnjës Milorad Dodik dhe kryeministri i Republikës Srpska Radovan Viskoviç.

“Jam i lumtur që jam këtu. Ky është një moment i madh për mua”, tha Handke pas takimit, njoftoi agjencia e lajmeve e Republika Srpska SRNA.

Ai më pas vizitoi një monument të ndërtuar në nder të tij në oborrin e hotelit Integral në Banja Luka.

Handke kishte mbërritur për të marrë çmimin i shoqëruar nga regjisori i filmit Emir Kusturica, i cili shkaktoi hutim duke vendosur një maskë kirurgjikale në sy, në vend që të mbulonte me të hundën dhe gojën në takimin me zyrtarët e Republikës Srpska.

Çmimi Nobel që mori Handke për letërsi në vitin 2019 ishte shumë i diskutueshëm dhe shkaktoi protesta nga grupet e viktimave të luftës në Bosnjë sepse ai ka shprehur dyshime për mizoritë e kryera nga forcat serbe të Bosnjës gjatë rrethimit të Sarajevës dhe masakrave të Srebrenicës.

Ai gjithashtu shkroi atë që u pa si një libër pro-serb në lidhje me luftërat në Ballkan me titull “Një udhëtim nëpër lumenj: Drejtësi për Serbinë”.

Në 2006, pasi Sllobodan Millosheviçi vdiq gjatë gjyqit të tij për krime lufte, autori austriak mbajti një fjalim në varrimin e udhëheqësit serb në vendlindjen e tij Pozarevac.

Është mësuar gjithashtu që Handke-s iu dha një pasaportë jugosllave nën regjimin e Millosheviçit.

Mats Malm, kreu i Akademisë Suedeze, e mbrojti vendimin e diskutueshëm për dhënien e çmimit Handke-s, autorit të romaneve të ndryshme të vlerësuar nga kritika dhe të skenarit të filmit të Wim Wenders “Wings of Desire”, duke thënë se ai kishte bërë ” komente provokuese, të papërshtatshme dhe të paqarta”, por se nuk kishin lavdëruar dhunën apo kishte mbështetur masakrat e Srebrenicës.

Çmimi Nobel u mirëprit ngrohtë nga zyrtarët në Serbi dhe Republikën Srpska./BI