Kosova e Shqipëria me pavijon të përbashkët në tregun e filmit në Kanë

Për të trembëdhjetin vit me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) prezantohet në tregun e filmit ‘Marche Du Film’ në festivalin film në Kanës të Francës.

QKK-ja ka bërë të ditur se në tregun e filmit në Kanë po prezantohet në një pavijon të përbashkët me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë nga Tirana.

“Ndër të tjera, Qendra Kinematografike e Kosovës do të promovoj filmat e fundit kosovar në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit, takime me partner ndërkombëtar të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare, producentë e distributorë” – thuhet në njoftimin e QKK-së në Facebook.

Pavijoni i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë gjendet në ‘Village International Riviera’, nr. 138, në Kanë.

Edicioni i sivjetmë, i 77-ti me radhë i Festivalit të Kanës ka nisur të martën, më 14.05.2024.

Këtë edicion Kosova përfaqësohet me filmin e shkurtër, “Rrugës” të Samir Karahodës.