Java me festivalin ‘Chopin Piano Fest Prishtina”, tri mbrëmje që vënë në qendër talentin dhe dialogun ndërmjet disiplinave artistike
Organizatorët e Festivalit “Chopin Piano Fest Prishtina” kanë njoftuar se gjatë kësaj jave, nga 3 deri më 7 qershor 2026, do të mbahen 3 koncerte në kuadër të edicionit të sivjetëm të këtij Festivali.
Sipas njoftimit, kjo javë sjell tri ngjarje të veçanta që vënë në qendër talentin e ri dhe dialogun ndërmjet disiplinave të ndryshme artistike.
Programi hapet me koncertin “Mbrëmja e laureatëve të rinj” (Young Laureates Evening) dhe vazhdohet me koncertin tjetër “Juvenis Scene”, dy ngjarje kushtuar artistëve të rinj premtues dhe brezit të ardhshëm të interpretuesve, ndërsa përmbyllet me koncertin “Piano and Dance”.
Sipas programit, të mërkurën, më 03.06.2026, në ora 19:00, mbahet koncerti “Mbrëmja e laureatëve të rinj”. Ky koncert sjell para publikut një brez të ri interpretuesish, siç thuhet në njoftim, që po formësojnë të ardhmen e muzikës klasike.
Ndërsa, të enjten, më 04.06.2026, në ora 20:00 mbahet koncerti “Skena juvenis”, një platformë kushtuar artistëve të rinj në zhvillim, që i ofron publikut mundësinë të zbulojë talente premtuese muzikore në fillimet e rrugëtimit të tyre artistik.
Ndërkaq, java mbyllet me koncertin “Piano dhe vallëzim”, siç thuhet më tej në njoftim, nga një dialog unik ndërmjet muzikës dhe lëvizjes, ku pianoja dhe baleti bashkohen në një përvojë artistike mbresëlënëse. “Me Eno Peçin, solist i Operës Shtetërore të Vjenës dhe koreograf me karrierë ndërkombëtare, pianisten austriake Maria Radutu dhe balerinen Mergime Morina, kjo mbrëmje fton publikun në një udhëtim përmes tingullit, hapësirës dhe emocioneve”- thuhet në njoftim.
Edicioni i 16-të i Festivalit të Muzikës “Chopin Piano Fest Prishtina” nisi më 07.05.2026, me koncertin “Italian Night” nga “Duo Gazzana”.
Në kuadër të festivalit po performojnë artistë nga vende të ndryshme, përfshirë: Kosovën, Shqipërinë, Francën, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Hungarinë, Malin e Zi, Gjeorgjinë dhe Turqinë.
Edicioni i 16-të i këtij festivali mbyllet më 10.06.2026 me koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Aurélien Azan Zielinski (Francë) dhe me solistin e njohur ndërkombëtar Fazıl Say (Turqi).
Të gjitha koncertet do të mbahen në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, Prishtinë, ndërsa dy prej tyre në Klan Arena.
