Hapet ekspozita “Njeri ish ma i fortë se guri” e Brikena Shabanit

Është hapur sonte në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ekspozita “Njeri ish ma i fortë se guri” e Brikena Shabanit. 

Ekspozita është organizuar nga forumZFD dhe bazohet në rrëfimet e personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. 

Në hapje të kësaj ekspozite mori pjesë edhe kryeministri Albin Kuri. 

Gjatë fjalës së tij, Kurti potencoi nevojën për t‘ i dhënë rëndësinë e duhur çështjes së personave të dhunuar gjatë luftës, siç potencoi ai, duke folur hapur me ta dhe jo për ta. 

“Kjo temë për shumë vjet ka qenë dhe vazhdon të jetë tabu në shoqërinë tonë. Akoma në shumë raste vazhdon të jetë tabu. Përmes rrëfimeve autentike, në njërën anë trajton traumën e përdhunimit, stigmën dhe margjinalizimin, e në anën tjetër shpresën, qëndrueshmërinë dhe dëshirën për jetë”, ka thënë ndër të tjerash kryeministri Kurti, në hapje të ekspozitës. 

Ekspozita mbi traumën dhe kujtesën e dhunës seksuale në luftë, “Njeri ish ma i fortë se guri” mëton t’i kundërvihet kulturës kolektive të heshtjes, stigmatizimit dhe hegjemonisë burrërore të kujtesës, duke i rivendosë të mbijetuarat në sfondin e përgjithshëm historik dhe duke u krijuar platforma për të artikuluar historitë e tyre dhe për të rrëfyer përvojat e tyre.