Filmi ‘Cirku fluturues’ pjesë e konkurrencës zyrtare në festivalin e filmit në Talin  

Filmi “Cirku fluturues” me skenar dhe regji nga Fatos Berisha do ta ketë premierën botërore në festivalin ndërkombëtar të filmit në Talin të Estonisë.

Festivali do të mbahet muajin e ardhshëm, ndërsa filmi kosovar do të jetë në konkurrencën zyrtare.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur përmes një njoftimi se filmi i gjatë artistik “Cirku Fluturues”  do ta ketë premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit në Talin të Estonisë.

“Cirku fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundviteve ’90, që flet për një grup aktorësh nga Kosova të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

‘Cirku fluturues’ është bashkëprodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut (Black Cat Production). Ndërsa është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Agjencia e Filmit të Maqedonisë së Veriut.

Në rolet kryesore luajnë: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topić.