Te enjten nis shfaqja e filmit ‘Cirku fluturues’

Filmi ‘Cirku fluturues’, me regji të Fatos Berishës nga dita e enjte do të shfaqet në të gjitha kinematë funksionale në Kosovës.

Sipas një njoftimi të bërë në Facebook nga stafi i filmit, “Cirku fluturues”, nga 12 marsi do të shfaqet si premierë vendore në kinematë; Cineplexx dhe  Kino ABC në Prishtinë, Cinemarine, Cineplexx dhe Dokukino në Prizren, dhe Kino “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

Disa nga kinematë kanë nisur shitjen e biletave, ndërsa filmi shfaqet në termine të ndryshme në kinematë kosovare.

Kurse një ditë më herët, të mërkurën, më 11 mars 2020, do të ketë edhe një konferencë për media Cineplexx në Prishtinë.

“Jam shumë i lumtur që filmi ynë po vazhdon rrugëtimin nëpër festivale të mira ndërkombëtare, por edhe më i lumtur që nga 12 marsi do të fillon shfaqjen në gjitha kinematë e Kosovës”, ka potencuar regjisori i filmit Fatos Berisha.

Përveç shfaqjes në kinematë kosovare, gjatë muajit mars dhe prill, filmi ‘Cirku fluturues” do të ketë edhe disa prezantime në festivale ndërkombëtare.

Gjatë marsit filmi shfaqet në ‘Sofia International Film Festival’ në Bullgari dhe në festivalin “Method Film Fest” në Beverly Hills, ShBA. Ndërsa në prill filmi prezantohet në  “Cleveland International Film Festival” në Ohio – ShBA, ku do të shfaqet në kategorinë kryesore garuese.

Filmi ‘Cirku Fluturues’ deri më tani është fitues i 2 çmimeve ndërkombëtare si: Filmi më i mirë ndërkombëtar në ‘Santa Barbara International Film Festival’ dhe ‘Fabrique du Cinema Awards’ në Romë.

‘Cirku Fluturues’ është bashkëprodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe kishte premierën botërore në festivalin “Tallinn Black Nights” të Estonisë në muajin nëntor të vitit të kaluar.