Burimi i Fotos - FCB - Fatos Berisha

Regjisori Berisha: Coronavirusi dikton organizimin e ‘PriFest 2020’

Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinës, “PriFest” do të mbahet  më ndryshme se edicionet e kaluar për shkak të pandemisë së coronavirusit, COVID-19.

Pavarësisht se festivali nuk do të shtyhet apo ndryshojë datat e organizimit të caktuar një vit më parë, 14 – 19 korrik 2020, shumëçka do të ndryshojë nga viti i kaluar.

Fatos Berisha, drejtor artistik i “PriFestit” ka thënë në një intervistë për Kallxo.com se këtë vit “PriFest” nuk do të jetë garues dhe shfaqja e filmave do të bëhet në ambient të haur.

Sipas Berishës, këtë vit gjithë filma do të jenë gratis për publikun, si shenjë solidariteti dhe gëzimi për tejkalimin e karantinës kolektive që kishim. Do të ketë më pakt të ftuar, por më shumë filma shqip.

PriFest, edicioni i 12-të

KALLXO.com: Pandemia e coronavirusit ka krijuar një situatë të re, jo vetëm te ne, ndërsa ka sjellë jo pak probleme për shumë prej aktiviteteve kulturore vjetore. A do të mbahet këtë vit “PriFest” siç është planifikuar?

Fatos Berisha: Po, “PriFest” planifikohet të mbahet në datat e publikuara qysh para 1 viti, pra prej 14-19 korrik 2020. Natyrisht, pandemia ka ndikuar në të gjitha sferat e jetës dhe ne do t’i adaptohemi situatës së krijuar.

KALLXO.com: Si keni planifikuar ta organizoni këtë vit festivalin, duke pasur parasysh pasojat që po lë COVID-19?

Fatos Berisha: Sigurisht, do t’i përmbahemi gjitha rregullave dhe protokolleve që do të përcaktojnë organet përkatëse shëndetësore e shtetërore. Kështu sivjet planifikojmë të mbajmë vetëm shfaqje të filmave nën qiellin e hapur në disa lokacione në Prishtinë. Poashtu në shenjë solidariteti dhe gëzimi për tejkalimin e karantinës kolektive që kishim, të gjitha shfaqjet e filmave do të jenë gratis për publikun.

KALLXO.com: Si do të mbahet  PriForum, Best Pitch, Prishtina Rendezvous dhe seritë e punëtorive që tash e sa vjet mbahen gjatë “PriFestit”?

Fatos Berisha: Sa i përket platformës regjionale të industrisë filmike PriFORUM – Prishtina Film FORUM, ajo do të mbahet plotësisht online. Përkundër vështirësive, këtë po e shohim si mundësi të mirë të kemi punëtori, panele diskutimi, takimet me distributorë dhe garën e projekteve në Best Pitch jashtëzakonisht interesante, edhe pse online.

KALLXO.com: Cilat janë filmat që do shfaqen në kuadër të Festivalit sivjetmë dhe pse ky edicion nuk do të jetë garues?

Fatos Berisha: Për shkaqet e njëjta, të përmendura më lart (pandemia), kemi vendosur që edicioni i sivjetëm të jetë jo-garues. Të gjithë filmat që selektohen dhe shfaqet do të jenë prezantues dhe do ta kenë statusin e ‘Official Selection’ apo ‘Special Screening’.

KALLXO.com: Cilat janë filma shqiptarë që do të prezantohen këtë edicion të Festivalit?

Fatos Berisha: Jemi në përmbyllje të programit dhe do ta publikojmë së shpejti. Por, mund të them se do të ketë mjaft filma në gjuhën shqipe.

Festivali nën qiellin të hapur

KALLXO.com: Në cilat ambiente do të shfaqen filmat?

Fatos Berisha: Në ambiente të hapura në Prishtinë, filluar nga Sheshi Zahir Pajaziti dhe para Teatrit Kombëtar tashmë lokacione tradicionale të “PriFest”. Për të tjerat lokacione ende nuk kemi vendosur.

KALLXO.com: Zakonisht çdo vit ftohen emra të njohur të kinematografisë botërore për pjesëmarrje në “PriFest”. A keni raste kur janë anuluar pjesëmarrjet për shkak të situatës?

Fatos Berisha: Ky edicion do të jetë ndryshe. Po shohim se shumica e festivaleve në botë po anulohen ose po bëhen online. Thjeshtë se kineastët as nuk mund, e besa edhe druajnë të udhëtojnë. Andaj, përveç disa filmbërësve nga rajoni, nuk presim shumë mysafirë nga Europa apo më gjerë.

KALLXO.com: Sa jeni të kënaqur me mbështetjen financiare që planifikohet japin institucionet për “PriFestin” këtë vit?

Fatos Berisha: Komuna e Prishtinës tashmë ka vendosur për mbështetjen festivalit dhe ne u jemi falënderues. Ndërsa jemi në pritje të vendimit të MKRS për shumën e mbështetjes.