Teatri Kombetar

Teatri Kombetar. FOTO- Denis Sllovinja

Kërkohet anulimi i konkursit për drejtor artistik të Teatrit Kombëtar

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anulimin e konkursit për Drejtor Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Sipas SHATK –ut, pozita Drejtor Artistik është hapur në kundërshtim me ligjin për Teatrin.

Përmes një njoftimi për media, SHATK bënë të ditur se në kuadër të mandatit të shoqatës, është realizuar një vlerësim i dokumenteve bazike të konkursit zyrtar të hapur nga MKRS.

Po sipas SHATK-u, konkursi në fjalë është hapur për një pozitën e punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Gjatë këtij vlerësimi është vënë re që njëri prej dy konkurseve, është në kundërshtim me ligjin për Teatër. Në konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet titulli i punës ‘Drejtor Artistik’. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njëherësh ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik”, thuhet në njoftimin e SHATK-ut.

Andaj shoqata e artistëve të teatrit, sugjeron anulimin e konkursit dhe pa humbur kohë hapjen e konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK-së.

Kallxo.com ka kërkuar një përgjigje nga MKRS lidhur me kërkesën e SHATK-së, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje.

Kallxo.com ka raportuar më herët lidhur me shpalljen e konkursit për drejtor artistik, i cili nuk parashihet në ligjin për teatrot e as në statutin e TKK-së, përkundër në muajin nëntor 2020, MKRS hapi konkursin për Drejtor Artistik për TKK-në.

Por, një ditë pas shpalljes së konkursit, MKRS është arsyetuar se konkursi është bazuar në rregulloren QRK) Nr.15/2018, për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe të Punonjësve Profesional të  Trashëgimisë Kulturore.

“Pozita e shpallur tek emërimi është e bazuar në Rregulloren (QRK) Nr.15/2018, për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe të Punonjësve Professional të Trashëgimisë Kulturore, Neni 8, pika 1.1.1 të datës 25 Shtator 2018, të nënshkruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës”, thuhej në përgjigjen e MKRS-së, për Kallxo.com.

Sipas Ligjit për teatrot të miratuar më 2011, drejtuesit e Teatrove janë Drejtori i Përgjithshëm dhe Udhëheqësi Artistik.

Aktualisht MKRS dhe Këshilli Drejtues i TKK-së janë duke zhvilluar proceduarat për zgjedhjen e drejtorit-udhëheqësit artistik të TKK-së. Në garë për këtë pozitë janë tre kandidatë: Albana Muja, Ekrem Sopi dhe Sokol Plakolli.