Teatri Kombëtar i Kosovës - Foto: Atdhe Mulla
Konkurs edhe për pozitën që nuk ekziston me ligjin për teatrot
Pavarësisht se me ligjin për teatrot, Teatri Kombëtar nuk ka pozitë të drejtorit artistik, por udhëheqës artistik, kjo nuk i ka penguar Ministrisë së Kulturës për të hapur konkurs për pozitën drejtor artistik në TKK.
Zyrtarë të MKRS-së në një përgjigje për Kallxo.com kanë thënë se konkursi është hapur në pajtim me Rregulloren (QRK) NR.15/2, pika 0, 18, për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore.
Sipas ligjit për teatrot, të viti 2012, Neni 7, pika 2, Struktura drejtuese e çdo teatri publik përbëhet nga Këshilli Drejtues; Drejtori i përgjithshëm dhe Udhëheqësi artistik.
“Organizimi dhe funksionimi i teatrove publike, pika 1. Organizimi dhe funksionimi i teatrove publike rregullohet me statut dhe me akte të tjera nënligjore në pajtim me këtë ligj. Pika, 2. Struktura drejtuese e çdo teatri publik përbëhet nga: 2.1. Këshilli drejtues; 2.2. Drejtori i përgjithshëm; 2.3. Udhëheqësi artistik”, thuhet në ligjin për teatrot, në nenin 7 të këtij ligji.
Por zyrtarë të MKRS kanë thënë se konkursi është hapur në bazë të rregullores së qeverisë për pagat dhe gradime e punëtorëve të institucioneve të kulturës, nënshkruar në shtator të 2018 nga kryeministri i Kosovës.
“Konkursi për Drejtor Artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është shpallur me këtë emërtim pasi bazuar në Rregulloren (QRK) NR.15/2, pika 0, 18 për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore, Neni 8, pika 1.1.1, nënshkruar me 25 shtator 2018 nga kryeministri i Republikës së Kosovës, përcaktohet emërtimi i pozitës për Drejtorin Artistik në TKK”, ka thënë Veton Firzi, sekretar i përgjithshëm në MKRS, në një prononcim për Kallxo.com.
Dy ditë më parë MKRS ka publikuar në uebfaqen e saj zyrtare konkursin për zgjedhjen e Drejtorit artistik, (Udhëheqës artistik), post të cilin deri më tani e mbante Agon Myftari.