Dyshohet për vrasje të civilëve në një lagje të Prizrenit, ngritet aktakuzë për krime lufte ndaj një personi

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M. P. i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës dhe po ashtu i Serbisë, për krimet e luftës ndaj civilëve gjatë luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë.

I pandehuri akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve në një lagje të Prizrenit.

“I pandehuri akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të Lagjes ‘Hoqa Mahalla’, në Prizren, ka marr pjesë në vrasjen e viktimave Reshat Daçaj, Binak Daçaj, Fatmir Bojaxhiu. Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë më 07.06.2024.

I pandehuri, sipas njoftimit, gjendet nën masën e paraburgimit deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.

Një aktakuzë për krime lufte ndaj dy serbëve është ngritur më 16.05.2024. Sipas prokurorisë, të akuzuarit të veshur me uniformë të policisë dhe të armatosur kanë marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë.

Edhe më datë 14.05.2024 kjo Prokurori ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj tre personave për krime lufte në Burgun e Prishtinës gjatë luftës në Kosovë.

Në dhjetor të vitit 2023, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se janë ngritur 33 aktakuza kundër 89 personave, në lidhje me krimet e luftës. Prokuroria Speciale ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës në fillim të vitit 2016, kurse ka pranuar rastet fizikisht në vitin 2018.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më
11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Detaje për rastin e Millosheviqit mund t’i lexoni KËTU.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit. Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit. Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në këtë LINK.