array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=3"
  }
}

Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Rrena e Pacollit për unitetin e liderëve në Berlin

Deklarata

Behgjet Pacolli: “Nuk kam pa asnjë pikë ku ka çaluar mendimi i presidentit me kryeministrit në Berlin. Nëse ka ndodhë diçka kur unë nuk kam qenë aty, nuk e di.  Konsideroj qe ekipi ynë në këtë konferencë ka qenë unik. Sidomos ndaj vonesës së vizave kanë qenë kritik të gjithë bashkë. Çka ka dalë prej fjalimeve të tyre ka qenë një samit ku pala kosovare ka qenë unike. Të tjerat janë spekulime”

 

Behgjet Pacolli

Vlerësimi

Me kos

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka garantuar se qëndrimet e liderëve, përkatësisht Presidentit dhe Kryeministrit nuk kanë dalluar në samit. Megjithatë vetë deklarimet e liderëve dëshmojnë diskrepancën e tyre. Haradinaj kishte deklaruar se ka pas presione nga Thaci në takimin me krerët e shteteve të rajonit, Merkelin dhe Macronin që të hiqet taksa. Kjo nuk është demantuar nga Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, por ai e ka këshilluar Haradinajn të mësojë rregullin që mos t’i flasë në publik ato që diskutohen në takime të mbyllura.

Artikulli

Harmonia jo e plotë e dy liderëve të Kosovës, i la Behgjet Pacollit detyrën që ta ‘shesë’ unitetin e delegacionit kosovar në organizime ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, të enjten deklaroi se pala kosovare ka treguar unitet në Samitin e Berlinit, që u mbajt me 29 prill, duke u shprehur i bindur se krerët institucionalë nuk patën dallime në qëndrime në Gjermani.

Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Pacolli as nuk i vuri në dyshim kundërshtimet mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Nuk kam pa asnjë pikë ku ka çaluar mendimi i presidentit me kryeministrit në Berlin. Nëse ka ndodhë diçka kur unë nuk kam qenë aty, nuk e di.  Konsideroj qe ekipi ynë në këtë konferencë ka qenë unik. Sidomos ndaj vonesës së vizave kanë qenë kritik të gjithë bashkë”, ka thënë ministri i Jashtëm.

Ai i ka konsideruar spekulime deklaratat për mosunitet në samit.

“Çka ka dalë prej fjalimeve të tyre ka qenë një samit ku pala kosovare ka qenë unike. Të tjerat janë spekulime”, ka thënë tutje ministri Pacolli.

Megjithëse punimet e samitit nuk kanë qenë të hapura, qëndrimet e dy liderëve patën dallime në fjalimet e tyre para dhe pas samitit.

Pas kthimit nga Berlini, kryeministri Ramush Haradinaj, duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në lidhje me diskutimet e zhvilluara në Berlin gjatë mbajtjes së Samitit të 29 prillit, u zotua se do ta thotë të vërtetën për çdo temë.

Haradinaj paraprakisht kishte deklaruar se Edi Rama, Hashim Thaçi, kancelarja Merkel e presidenti Macron i kishin kërkuar dhe bërë presion për të pezulluar apo hequr taksën.

Kjo kishte nxitur reagimin e kryeminsitrit shqiptar Edi Rama, i cili madje homologun e tij nga Kosova e akuzoi edhe për gënjeshtër.

“Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë ‘burra të mirë’ para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar. Më vjen sinqerisht keq që miku im Ramush, nuk e ka mësuar ende këtë rregull kaq të thjeshtë, megjithëse normalisht ky s’është as ndonjë rregull udhëheqësish në fakt, po një normë elementare mirëkuptimi njerëzor”, kishte shkruar Rama në Facebook.

Ndërkaq, Haradinaj nuk e la pa iu kundërpërgjigjur Ramës.

“Për mua, shqiptarët, edhe të majtë edhe të djathtë, janë vëllezërit dhe motrat e mija. Ua kam borxh të vërtetën. Atë çka ka thanë At Zef Pllumbi, ‘Rrno me tregu’”, do të ua tregoj të vërteten. I pëlqej apo jo dikujt. Do ta bëjë edhe në të ardhmen”, tha Haradinaj para gazetarëve.

“Ato çfarë kam thanë në intervistë, është intervistë e kujdesshme. Unë kam ruajtur shumë gjëra, por ato çfarë kam thënë, qëndrojnë”, shtoi kryeministri.

E pak ditë para nisjes për në Gjermani, kishte deklaruar se shpreson që t’i harmonizojë qëndrimet me presidentin Thaçi.

“Samiti i Berlinit është një takim multirateral, qëndrimet që i ka mbajtur Kosova në vazhdimësi do t’i mbajë dhe shpresojë që mos të kemi shpërputhje në qëndrime me Presidentin. Do ta kemi kohën me bisedu para ngjarjes, por me siguri do të harmonizojmë me të qëndrimet.  Nuk kam qëndrime të tjera”, kishte thënë kryeministri.

Kreu u ekzekutivit, në vazhdimësi është shprehur kundër idesë së kryetarit të shtetit, për “korrigjimin e kufirit”, përderisa ky i fundi insiston që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

Këtë presidenti e prezantoi edhe gjatë takimit të Berlinit.

Presidenti Thaçi deklaroi se nuk do të ketë kufi në vija etnike mes Kosovës e Serbisë, megjithëse  shtoi se demarkimi me shtetin fqinj do të ndodhë. Kreu i shtetit u zotua sërish se do të punojë fort që Luginën e Preshevës ta bashkojë me Kosovën.

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj tha se kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një vale të re të ndarjes etnike dhe “ndoshta edhe fillimin e dhunës”.

Për qëndrimet e kundërta mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, raportoi edhe gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times”. Në një artikull të dedikuar Samitit për Ballkanin Perëndimor, gazeta thotë se fillimisht kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron duhet “të ndërmjetësojnë midis dy liderëve të Kosovës”.

“Nëse duan të kenë ndonjë shpresë për lehtësimin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe të tejkalojnë ngërçin në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve, atëherë ata së pari duhet të ndërmjetësonin një paqe tjetër, atë midis dy liderëve të Kosovës”, thotë artikulli i gazetës në fjalë.

Në anën tjetër, taksa ndaj produkteve serbe e vendosur nga ekzekutivi kosovar vitin e kaluar, në Berlin, u tha të jetë pengesa kryesore për vazhdimin e negociatave mes dy palëve, pasi Serbia ka pezulluar bisedimet pikërisht për këtë arsye.

Por përveç Haradinajt, në përkrahje të tarifës doganore, nga Berlini doli edhe Thaçi. Edhe pse më parë kërkoi që taksa të hiqet, tashmë vendimin e cilësoi si legjitim dhe se sipas tij, i njëjti do të mbetet në fuqi. Por, Haradinaj ka thënë se Thaçi kishte tjetër qëndrim në takimin e mbyllur.