Prishtinë, vaksinimi kundër COVID-19 vetëm në periferi, pritet të shqyrtohet hapja e qendrave të reja

Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës pritet të shqyrtojë mundësinë e hapjes së qendrave të reja për vaksinim kundër COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në komunë, Izet Sadiku.

“Dhënia e shërbimeve mjekësore po vazhdon për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë në të gjitha QMF-të e Prishtinës. Do ta shqyrtojmë mundësinë e hapjes edhe të qendrave të tjera për vaksinim”, ka thënë Sadiku.

Aktualisht vaksinimi kundër COVID-19 po bëhet vetëm në QMF në lagjen “Kalabria” dhe një ekip mobil në një qendër tregtare në Veternik, si pikë ku ka më shumë grumbullim të qytetarëve.

Prishtina aktualisht ka 11,013 raste aktive me COVID-19.

Dje janë vaksinuar 313 qytetarë, kurse nga 726 testime në kryeqytet, 160 kanë rezultuar pozitivë.